Me shtëpitë e rrënuar edhe shpresa e të pastrehëve

Ekskavatorë, polici, pluhur, fëmijë të njollosur dhe të frikësuar dhe qytetarë të hidhëruar kemi gjetur në vendin ku Komuna e Qendrës, me asistencë të MPB-së, këtë mëngjes filloi me ekzekutimin e vendimit të shërbimeve inspektuese për largimin e ndërtimeve të egra, por edhe të lagjes së egër të vendosur në “Parkun urban” në Shkup. Për këtë aksion, ekipi i CIVIL Media morri vesh nga lajmërim të gazetarit qytetar.

“Këtu jetojmë rreth 10 familje tani më dy vite. Tani na rrënuan banimin dhe nuk kemi ku të shkojmë, shteti na la në rrugë. Këtu jetojmë dhe mbijetojmë duke mbledhur shishe të plastikës dhe hekur”, thotë një banuese e asaj mëhalle të egër të improvizuar.

Në pyetjen se vallë u ofruan t’i vendosin në qendrën pranuese “Çiçino sëllo”, ata u përgjigjën se kishin ofertë të tillë por se refuzojnë të shkojnë atje.

“Nuk mund të jetojmë ne atje, sepse kushtet nuk janë të mira. Dëgjuam nga miq që veç më ishin atje të vendosur dhe se u keqpërdoren vajzat dhe ne refuzuam të shkojmë në atë qendër”, thotë një qytetar i cili me familjen ka jetuar në parkun.

“Në Çiçino sëllo ka shumë njerëz kokëfortë, por edhe ne jemi kokëforte dhe nuk do të pajtohemi”, shton një tjetër.

Në shtëpitë e egra të ndërtuara në “Parkun urban” ka dhjetë fëmijë prej të cilëve njëri ka epilepsinë. Nëna e tij thotë se nuk ka kushte të kujdeset për të, por nuk ka as medikamente.

“Me këtë fëmijë tani jemi të lënë në rrugë dhe nuk pranoj asnjëfarë ndihmë nga shteti për mjekimin e tij”, shton nëna.

Tjetër qytetare shton – Nga shteti fitojmë vetëm polici t’i rrahin Romët”.

Ndërmjet banorëve të asaj mëhalle të improvizuar ka edhe persona të cilët nuk kanë identifikim personal. I tillë është rasti me një qytetar i cili para kamerës së CIVIL Media u ankua se ka 40 vite dhe nuk ka asnjëfarë dokumenti, përveç një legjitimacion nga Kryqi i Kuq.

“Tetë vite flej nëpër rrugë. Kur është dimër më pranojnë në punkt, ndërsa kur është verë më hedhin jashtë. Pyes ku të shkoj un, ku... Ne nuk kemi faj, nuk ka faj as Amdi Bajrami, por faj ka shteti sepse nuk ka rend. Sonte ku të shkoj me familjen time? Askujt nuk i intereson se vallë je brenda apo je jashtë”, shton ai.

Nga komuna vërtetojnë se muajin e kaluar kanë biseduar me personat të cilat kanë qenë të vendosur në parkun dhe u është thënë se duhen patjetër ta lëshojnë ato banim. Të njejtëve u ofrua edhe akomodim në një strehimore të Ministrisë së punës dhe Politikës Sociale.

Komuna Qendër pas pastrimin të plotë të hapësirës do të filloj me rikonstruim, gjelbërim dhe vendosje të pajisjes urbane në park.

Komuna do t’i largoj edhe qytetar(ë)et dhe fëmijët nga “Parku urban”, po ku do të shkojnë ata banorë...?

Dehran Muratov

Please follow and like us:

This post is also available in: Macedonian English