Tetovarët pinë ujë me shije kimikatesh, komuna hesht

Mbi njëqind mijë banorë të Tetovës për dy ditë radhazi jetojnë në alarm dhe pasiguri për shëndetin e tyre. Të hënën ata kanë konsumuar ujë të dyshimtë që përmbante një shije dhe aromë që ngjasonte në kimikate.

Frika është rritur edhe më tepër pasi që edhe 24 orë pas shpërthimit të këtij alarmi, institucionet komunale dhe kryesia e Komunës së Tetovës vazhdon të heshtë dhe të mos jep asnjë sqarim për të treguar se për çfarë përbërësi bëhet fjalë. Qytetarët kanë reaguar përmes rrjeteve sociale, ndërsa disa prej tyre i janë drejtuar edhe OJQ “Eco Guerilla” si organizatë për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Shumë prindër  janë të shqetësuar sepse gjatë qëndrimit në shkollë, fëmijët kanë pirë nga uji i çezmave nga  të cilat uji gjithashtu  ka përmbajtur shije dhe erë të dyshimtë , që i përngjan kimikateve. Edhe në amvisëri fëmijët i janë ekspozuar të njëjtit rrezik derisa prindërit janë vënë në dijeni dhe kanë ndërmarrë masa alternative, dhe e kanë ndërprerë furnizimin nga ujësjellësi i qytetit.

“Jemi të shqetësuar sepse dje gjatë ditës derisa ne kemi qenë në punë fëmijët kanë pirë ujë, nuk e dimë çfarë do të ndodh më tej edhe pse për momentin nuk ka ndonjë reaksion”, thotë një nga banorët e Tetovës. Nga  “Eco Guerilla” për portalin CIVIL Mediadhe DREJT konfirmuan se shumë qytetarë kanë kërkuar përgjigje nga ata, por shtojnë se në mungesë të një ekspertize institucionale ata nuk mund të japin një përgjigje të saktë. Megjithatë, nga kjo organizatë thonë se për rastin në fjalë duhet të mbajnë përgjegjësi drejtuesit e Komunës së Tetovës në krye  me kryetaren Teuta Arifi. Ndërkaq, për heshtjen dhe neglizhencën e pushtetit lokal, Eco Guerilla kërkon përgjegjësi dhe intervenim edhe nga Qeveria dhe kryeministri Zoran Zaev.

“Ne kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë edhe nga Kryeministri Zoran Zaev për skandalet e njëpasnjëshme që po ndodhin në qytetin tonë, si pasojë e paaftësisë së Komunës dhe Kryetares Arifi. Problemet me ujin e pijshëm, me mbeturinat, papastërtinë e madhe në qytet, uzurpimin e hapësirave publike, jotransparencën financiare, trafiku urban, parkingjet, etj. Kryeministri personalisht ishte në krye të fushatës për të zgjedhur këtë kryetare që e kemi”, thuhet në reagimin me shkrim të Eco Guerilla. Nga kjo organizatë mes tjerash kërkojnë që urgjentisht Qeveria t’ia merr kompetencat udhëheqësisë komunale, pasi që tanimë, sipas tyre ka shumë shkaqe për një vendim të tillë. “Në vende udhëheqëse emërohen njerëz të paaftë dhe jokompetentë për detyrat që kanë. Urgjentisht kërkojmë që Qeveria t’ia marrë ingerencat e Komunës së Tetovës për paaftësinë për të menaxhuar  me qytetin  dhe me problemet e përditshme me te cilat po ballafaqohen qytetarët”, thuhet në reagimin e Eco Guerillës. Gjatë ditës pritet që për problemin me ujin e pijshëm në Tetovë të prononcohen edhe institucionet kompetente shëndetësore dhe ato shtetërore.

Arben Zeqiri

Please follow and like us:

This post is also available in: Macedonian