Xhaferi: siguria e qytetarëve është më e rëndësishme se siguria jonë personale

Lëvizja Eco Guerilla ditëve të kaluara e informoi opinionin se kanë pranuar kërcënime dhe shantazhime nga individë të ndryshëm, me qëllim t’i heshtin dhe të mos merren me punën e Jugohromit.

Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla, për CIVIL Media thotë se thirrjen e parë që e kanë pranuar, ka qenë anonime, përmes të cilës u është ofruar një shumë e majme parash, mirëpo, ata nuk e kanë konsideruar me seriozitet mesazhin, sepse mesazhi ka qenë anonim.

“Pas disa ditësh na kontaktuan njerëz të ndryshëm, dhe të gjitha këto gjatë tre javëve të fundit. Kishim kontakte me njerëz që na ofronin shumë para, të heshtim në dy muajt e ardhshëm për punën në Jugohrom. Ishte e çuditshme që Jugohromi as që ishte temë e bisedave në tre muajt e fundit për ne në Eco Guerilla, sepse është e mbyllur, dhe pritnim që të përmbushen të gjitha standardet ekologjike para se të hapet, siç ishte marrëveshja”, thotë Xhaferi.

Ai thotë se personalisht nuk është i brengosur për sigurinë e tij dhe se nuk ndjen rrezik për shkak të kësaj situate, duke shtuar : “Nuk frikohemi nga qyqarë të këtillë që na kërcënohen, sepse ata nuk kanë guxim të vijnë personalisht ta bëjnë këtë”.

“Ajo që na brengos është siguria e qytetarëve të Tetovës nga ristartimi i mundshëm i Jugohromit pa filtra, kjo është e keqja më e madhe që mund të ndodhë këtu. Qytetarët veç më e dinë dhe i gjithë opinioni e din se pasi që u mbyll Jugohromi, kemi për 60% ulje të ndotjes, ndërsa numri i të sëmurëve nga sëmundjet respiratorë është përgjysmuar. Siguria jonë personale është problemi ynë, dhe nuk brengosemi aspak, ne e dimë se çfarë pune kemi nisur”, shton Arianit Xhaferi.

Eco Guerilla ka mbështetjen e qytetarëve dhe të sektorit joqeveritar, pasi u publikua lajmi në konferencën për shtyp. Xhaferi thotë se as Eco Guerilla, as ndonjë organizatë tjetër nuk guxon të ndalohet dhe pengohet në punën e tyre, dhe aq më pak të heshtet ose kërcënohet.

“Ne të sektorit qytetar  jemi lojtarë të barabartë, dhe për këtë arsye, kjo që na ndodhi ne, mundet t’i ndodhë edhe dikujt tjetër dhe ai që kërcënon duhet të dënohet menjëherë”, thotë ai.

Nga organizata thonë se presione të këtij lloji nuk kanë pasur me pushtetin e kaluar, dhe se nuk kanë pritur tani të kenë presione të tilla, dhe nëse nuk janë frikësuar nga pushteti i kaluar – nuk do të frikohen as nga ky pushtet.

“Pas konferencës për shtyp të Eco Guerillës, në Kuvend u hap çështja dhe u diskutua rreth kërcënimeve dhe shantazhimeve dhe për mundësinë e rihapjes së Jugohromit, ku edhe Kryeministri  Zaev, edhe zëvendës – kryeministri Angjushev, dhe ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski reaguan rreth kësaj, duke dhënë garanci se Jugohromi nuk do të hapet pa i përmbushur plotësisht të gjitha standardet ekologjike”, theksoi Xhaferi.

Këtë rast Eco Guerilla e kanë paraqitur në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, por ata nuk kanë pritje se do të zbatohet ndonjë drejtësi, as se do të gjendet ai që është lajmëruar.

“Drejtësi nuk presim, por, megjithatë, dëshirojmë t’u porosisim dhe t’u japim në dijeni se ne nuk do të dorëzohemi, nuk bëhet fjalë për sigurinë tonë personale, bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve të Tetovës, pavarësisht nëse janë Shqiptarë, Maqedonas, Turkë, Romë ose minoritete tjera, nëse janë muslimanë ose të krishterë ose ateistë. Ndotja na diskriminon pa bazë, kështu që edhe politikanët nuk janë të anashkaluar. Edhe familjet e tyre e marrin ajrin e njëjtë”, theksoi Xhaferi.

Angella Petrovska

Kamera: Dehran Muratov

Montazhi: Biljana Jordanovska

This post is also available in: Macedonian English