Katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, LSDM, VMRO-DPMNE, BDI DHE PDSH, në takimin me Eurokomisarin për Zgjerim, Johanes Han, premtuan se janë të gatshëm dhe se pajtohen me vendimin që në 11 dhjetor të mbahen votimet për këto zgjedhje të parakohshme, me çka do ti vihet fundi krizës politike në të cilën Maqedonia po fundoset për një kohë të gjatë. Përveç përfundimit zyrtar të partive se janë plotësuar kushtet për zgjedhje, sot deputetët në seancë duhet të sjellin vendimin për shpërbërje të Kuvendit, si hap i parë për fillimin e procesit zgjedhor.
Vallë do të votojnë deputetët e pushtetit për shpërbërjen e Kuvendit?
Në seancën e sotme duhet të shpërbëhet Kuvendi, me iniciativë të LSDM-së, e cila më 12 tetor ishte e mbështetur nga VMRO-DPMNE, me kusht që paraprakisht të miratohet Buxheti për vitin 2017. Por opozita vlerëson se buxhetin duhet ta sjellë qeveria e re, pas zgjedhjeve.
Deputetët sot duhet ti sjellin edhe ligjet për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP) dhe për mbrojtje të dëshmitarëve në procedura gjyqësore, të cilat dalin nga veprat penale në aferën “Përgjime”. Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva shpreson se ligjet do të votohen. Ajo, në takimin me Eurokomisarin Han ka biseduar për të gjitha sfidat në punë me të cilat ballafaqohet PSP.
Në seancën e sotme duhet të diskutohet edhe për problemin me tepricën e votuesve në Njësinë e Gjashtë të cilën e heshti Ministria e Drejtësisë. Secila nga gjashtë njësitë votuese duhet të ketë numër përafërsisht të barabartë të votuesve të regjistruar, me devijim nga +/- 5%. Mirëpo gjendja në terren është ndryshe. Në Njësinë e Gjashtë ka 5,28% më shumë votues se sa është e lejuar. Komisioni Zgjedhor Shtetëror (KSHZ) për një kohë të gjatë alarmoi për këtë dhe dorëzoi edhe kërkesë zyrtare deri te Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë. Por, askush nuk reagoi.
Maqedonia nën lupë të BE
Eurokomisari Han ka porositur se BE edhe më tej e përcjell me vëmendje procesin deri në zgjedhje. Për BE, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për kthimin e Maqedonisë në rrugën Euroatlantike, por, gjithashtu janë të rëndësishme edhe prioritetet e reformave nga Raporti i Pribe’s. Sipas Han, është me rëndësi esenciale që zgjedhjet të zbatohen në mënyrë që pas kryerjes së tyre askush të mos ketë ankesa për legjitimitetin dhe rregullsinë. Ai ka shprehur sigurinë se puna e Prokurores Speciale dhe e ekipit të saj do të jetë e mbështetur.
Eurodiplomatët Riçard Hovit, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgël, në takimin me përfaqësues të organizatave qytetare të Maqedonisë në Bruksel, porositën se zgjedhjet më 11 dhjetor do të mbahen. Fakti se disa nga partitë politike ende nuk kanë filluar të përgatiten për fushatë politike, sipas Eurokomisarit Vajgël, vetëm do të thotë se do të humbin në zgjedhjet. Ai u ka rekomanduar disa politikanëve në Maqedoni – “të gjejnë avokatë të mirë”! Sipas Eurodeputetëve, nëse ndonjë parti vendos të mos aktivizohet në periudhën parazgjedhore, ajo është e drejta e tyre dhe se kjo në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë mbi datën e caktuar për zgjedhje.
Sektori qytetar kërkon ndihmë nga BE
Në pritje të vendimit përfundimtar, nëse do të mbahen zgjedhje më 11 dhjetor, organizatat qytetare në takimin me Eurokomisarin Han e ngritën tonin, por në kritika mes vete. Nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë, akuzuan se PSP është mjet nga agjenda politike e LSDM dhe e liderit të opozitës Zoran Zaev. Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, reaguan me akuzë se ata që kritikojnë janë pjesëmarrës në bisedat e përgjuara të cilat i publikoi opozita, ndërsa kanë të bëjnë me zgjedhjet. Sektori joqeveritar kërkoi repart të pavarur gjyqësor që do të punojë në procedimin e e rasteve të PSP, ndërsa para kësaj, shpërbërje dhe rizgjedhje të Këshillit Gjyqësor, që të sigurohet paanshmëri. Organizatat qytetare kërkojnë që BE në mënyrë të drejtpërdrejtë ta gjejnë përgjegjësinë, ndërsa nëse ka negociata të ardhshme, edhe ata të jenë të kyçur në procesin e mbikëqyrjes, marrëveshjes dhe vlerësimit.
Gruevski me urdhër e mobilizoi administratën
Në ditën kombëtare 11- tetor, publiku prodemokratik i Maqedonisë, me iniciativë të liderit të opozitares LSDM, Zoran Zaev, mbajti demonstrata masovike në Shkup. Me autobusë nga të gjitha viset e Maqedonisë erdhën dhjetëra mijë njerëz. Gjatë kësaj, edhe aktivistë të shquar qytetarë përcollën mesazhe deri te bashkësia ndërkombëtare, se kjo Qeveri në zgjedhje duhet ndërruar, që ti vihet fund krizës politike në Maqedoni, por edhe të hapet faqe e re për Maqedoninë demokratike dhe përparimtare.
Më 16 tetor, gjithashtu me autobusë, por me urdhër, me lista të përgatitura paraprakisht, nga e tërë Maqedonia, arrinte Administrata Shtetërore e Maqedonisë, të punësuar në shëndetësi, në arsim, nëpër komuna… në mitingun e partisë, që ta dëgjojnë fjalimin e ish- kryeministrit, liderit të qeverisëses VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski. Ai, në fjalimin e tij që zgjati një orë, u premtoi fitore në zgjedhje, duke drejtuar kërcënime dhe ofendime ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Monika Taleska