Ibraimovski: Fondi pensional është nën kujdesin intensiv, nuk dihet se kur do të vdesë!

“Çdo vit, 3,5 % nga mjetet e caktuara në buxhetin e MTSP nuk ndahen për rastet sociale. Kjo është një nga padrejtësitë që bëhen gjatë tërë vitit dhe çdo vit, transferet sociale që u takojnë rasteve sociale, mjeteve për kujdesin e huaj, ndihma e vazhdueshme financiare, për një ose dy muaj, prolongohen për vitin tjetër. Pse e bëjnë këtë? Vallë nuk ka mjete të mjaftueshme, ose nuk janë të parapara mjete të mjaftueshme, ose i keqpërdorin personat e rrezikuar social dhe konvertohen paratë që të mund të paguhen gjëra tjera që nuk janë të parapara me Ligjin për Drejtësi Sociale?”, deklaroi në intervistë për CIVIL-Media, presidenti i Partisë për Emancipim të Plotë të Romëve, Samka Ibraimovski.

CIVIL Media: Cilat janë angazhimet programore të partisë tuaj në aspektin e drejtësisë sociale?

Ibraimovski: Angazhimet programore të partisë tonë në pjesën e drejtësisë sociale në Republikën e Maqedonisë janë se, së pari, në Maqedoni nuk ekziston drejtësi sociale, por ekziston padrejtësi sociale, që është shumë keq për një shtet dhe mendojmë se duhet të bëhen reforma. Këtë e kemi paraparë në programin tonë, ndërsa e kemi përcjellë edhe te partnerët tonë koalicionues – LSDM. E kemi futur në programin  si pjesë e kërkesës tonë që të ketë reforma sociale në aspektin e drejtësisë sociale. Dhe si ministër i mëparshëm për punë dhe sociale, mendoj se drejtësia sociale në Maqedoni nuk ekziston, për arsye se janë keqpërdorur kategoritë sociale të rrezikuara. Kjo është një nga padrejtësitë  që bëhen gjatë tërë viti, dhe çdo vit, transferet sociale që u takojnë rasteve sociale, mjetet për kujdesin e huaj, ndihma e vazhdueshme financiare, për një ose dy muaj, prolongohet për vitin e ardhshëm. Pse e bëjnë këtë? Vallë nuk ka mjete të mjaftueshme, ose nuk janë të parapara mjete të mjaftueshme, ose i keqpërdorin personat e rrezikuar social dhe konvertohen paratë që të mund të paguhen gjëra tjera që nuk janë të parapara me Ligjin për Drejtësi Sociale?

CIVIL Media: Cilat janë njohuritë tuaja për keqpërdorime të kategorive sociale të rrezikuara të qytetareve dhe qytetarëve në kontekst politik, gjegjësisht, zgjedhor?

Ibraimovski: Njohuritë tona janë se për momentin i keqpërdorin, me manipulime se do t’ua heqin ndihmën sociale, se nuk do të pranojnë para për fëmijën e tretë nëse në pushtet vjen opozita...Bëjnë shumë manipulime, mbajnë komunikim me njerëzit të cilët janë të prirë nga ana e tyre, ose mbajnë tribuna me njerëz dhe u thonë: “Ja, ne luftojmë, e rrisim ndihmën sociale”. Edhe pse kjo do të thotë – për 2000 denarë, ato janë 100 denarë, kjo është qesharake...Nevojtari thotë “ unë të zbres nga Bairi me taksi, do të harxhoj 100 denarë, ndërsa mua ndihma më është rritur aq, 100 denarë”. Luajnë me kategorinë sociale të rrezikuar të qytetarëve dhe i keqpërdorin me dhënie të ndihmës së njëhershme në ditën e zgjedhjeve. Këtë e bënin në zgjedhjet e kaluara, unë kam njohuri nga anëtarët dhe aktivistët e mi se për ditën e zgjedhjeve është shpërndarë ndihmë financiare nga 500 denarë, por edhe nga 300 ose nga 600, varet nga rezistimi i nevojtarëve. Nëse kanë kërkuar më shumë, u kanë dhënë më shumë. Ka pasur shumë keqpërdorime, për këtë arsye, ne, si opozitë, kërkuam këtë Ministri, 100 ditë para zgjedhjeve, pikërisht për shkak të këtyre keqpërdorimeve. Për këtë ekzistojnë regjistrime dhe dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë se kanë pranuar ndihmë financiare. Kjo nuk guxon të bëhet në rrugë, e ata e kanë bërë këtë.

CIVIL Media:  Cilat premtime për drejtësi sociale janë realisht të realizueshme, e cilat premtime paraqesin korrupsion politik të llojit, gjegjësisht, manipulim me pritjet e votuesve?

Ibraimovski: Në lidhje me premtimet për drejtësi sociale, realisht të realizueshme janë ato që ne tani i ofrojmë në programin tonë, gjegjësisht, kompensimet për kategoritë sociale të rrezikuara, nëse jo tjetër gjë, së paku ta arrijnë lartësinë e rrogës minimale. Kjo është e paraparë edhe në programin e PCER dhe në programin e partnerit tonë koalicionues, LSDM. Këto janë oferta reale dhe të realizueshme, edhe pse dikush tha: prej ku tani ju keni para që ta rrisni ndihmën sociale? Do ta rrisim me paratë që na i vodhën, se do të duhet patjetër të na i kthejnë. E këto janë dy buxhete të Republikës së Maqedonisë – para të vjedhura nga shteti. Do të thotë, me dy buxhete, kur t’i mbledhim të gjitha paratë  e t’i kthejmë në shtet, do të kemi edhe për “socialët” edhe për pensionistët, edhe për punësime të reja...Dhe, t’i ndihmojmë çdo biznesmeni që dëshiron të hapë biznes të ri, ose t’i ndihmohet dikujt që është “mbërthyer” në kredite, t’i jepet konsolidim financiar, t’i mundësohet të mbijetojë në biznes... Në këtë mënyrë, do t’i ndihmohet edhe biznesit edhe kategorisë sociale të rrezikuar të qytetarëve, edhe më të varfërve, përmes ndërtimit të banesave sociale...Këto janë punë realisht të realizueshme, sepse paratë janë vjedhur nga shteti...kjo është fakt. Edhe Banka Popullore ka lajmëruar se nga shteti janë të bartura 4,5 miliardë euro nëpër parajsat tatimore.


CIVIL- Qendra për Liri, realizon pilot-projektin “Premtime dhe keqpërdorime”, i cili merret me keqpërdorimin e drejtësisë sociale për qëllime politike dhe zgjedhore. Qëllimi i projektit është të kontribuojë për forcimin e vetëdijes publike për keqpërdorimet në domenin e drejtësisë sociale në kontekst zgjedhor, si dhe parandalimin nga praktikat manipuluese të qendrave të fuqive politike. Projekti zbatohet në bashkëpunim me fondacionin “Hajnrih Bell” zyra - Sarajevë.

 

This post is also available in: MacedonianEnglish

Green CIVIL

FREE
VIEW