Planifikojmë që të prezantojmë të ashtuquajturën kartelë sociale, e cila do të mundësojë, nëpërmjet të një sistemi softuerik, që të dhënat e njerëzve që marrin mbështetje financiare, varësisht nga gjendja e tyre, të mund të kontrollohen në mënyre më transparente dhe të paraqesin informacionet në kohën e vërtetë (në real time), ashtu që të minimizohet edhe nevoja e prezentimit të dokumentacionit nga ana e këtyre grupeve, ashtu që do të zvogëlohen edhe harxhimet administrative në këtë drejtim dhe do t’i iket ngadalësimit të procesit – deklaroi Kastriot Rexhepi, anëtar i kryesisë dhe sekretar i sektorëve në Lëvizjen Besa, në intervistën e dhënë për CIVIL Media.
CIVIL Media: Z.Rexhepi, cilat janë përcaktimet programore të partisë suaj nga aspekti i drejtësisë sociale ?
Rexhepi: Ne vlerësojmë si Lëvizje Besa që politika sociale nuk duhet të jetë një instrument i shfrytëzuar si lëmoshë dhe të varet nga vullneti i shtetit ose partive politike, por duhet të jetë në shërbimin e qytetarëve për të siguruar mirëqenie më të mirë të tyre ekonomike. Lëvizja Besa është në fazën e kompletimit të platformës programore për politikat sociale dhe për mirëqenie, duke konsultuar edhe ekspert të jashtëm. Dhe, ne kemi vlerësuar se deri më tani ka pasur dy qasje. Një nga qasjet dhe mendimet – që mendohet se nëse ka një politikë ekonomike të mirë atëherë nuk ka nevojë që të ketë politikë sociale. Dhe, ana tjetër mendon, ka një qasje njëdrejtimëshe, ku e sheh politikën sociale si lëmoshe vetëm se për grupet e vobekta, vetëm si ndihmë sociale për popullatën.
Ne jemi për një politikë konzistente, e cila është e bazuar në bazë të eksperiencave, të politikave bashkëkohore, të cilat përdoren nga vendet në Unionin Evropian, SHBA dhe vende tjera, dhe jemi për një politikë konzistente sociale, e cila do të përfshijë shumë sfera dhe vazhdimisht do të ofrojë një servis këtyre grupeve të popullatës, në atë mënyrë që të mund t’ua sigurojë mirëqenien e tyre, duke qenë e angazhuar për harxhimin e parave të popullit në mënyrë ekonomike, por edhe në mënyrë transparente, në atë mënyrë që të mund të minimizohen keqpërdorimet, të cilat në periudhën e kaluar kanë qenë prezentë.
Kemi paraparë edhe disa masa konkrete, për të cilat ne do të angazhohemi. Një prej tyre është edhe demonopolizimi i kësaj çështjeje, për shkak se deri më tani, në qeveritë e kaluara ne një farë lloj mënyre ky proces është mbyllur dhe janë refuzuar që të ketë një inkluzivitet – nga ana e opinionit publik, nga ana e partive opozitare, nga ana e shoqatave joqeveritare si dhe faktorëve tjerë, ekspertëve, të cilët mund të kontribuonin për përpilimin e masave dhe programeve të suksesshme. Për këtë, angazhohemi për një konferencë konsensuale, që është një instrument që përdoret në disa shtete te Unionit Evropian, SHBA dhe Kanada, ku në disa çështje jetike të shoqërive të shëndosha, vinë dhe merren konkluzione me konsensus, në atë mënyrë që të ketë një kornizë të suksesshme për veprimet në ketë fushë.
Një nga hapat që ne i planifikojmë është që të prezantojmë të ashtuquajturën kartelë sociale, e cila do të mundësojë, nëpërmjet të një sistemi softuerik, që të dhënat e njerëzve që marrin mbështetje financiare, varësisht nga gjendja e tyre, do të mund të kontrollohen në mënyre më transparente dhe do të paraqesin informacionet në kohën e vërtetë (në real time), ashtu që të minimizohet edhe nevoja e prezentimit të dokumentacionit nga ana e këtyre grupeve, ashtu që do të zvogëlohen edhe harxhimet administrative, të cilat shkojnë në këtë drejtim, dhe procesi mjaft edhe ngadalësohet.
Angazhohemi për një asistencë financiare për familjet, të cilat kanë anëtarë të familjes me invaliditet të rëndë, në atë mënyrë që nga pamundësia ata të jenë të aktivisht të punësuar në kohë të gjatë në orar të punës, të mundohemi nëpërmjet një suplementi financiar, që të mund t’u sigurojmë një mirëqenie dhe një standard edhe këtyre grupeve të njerëzve. Po ashtu, theks të posaçëm dhamë edhe në prindërit kujdestarë, të cilët janë të angazhuar gjatë gjithë kohës me fëmijët e tyre, në atë mënyrë që ata, po ashtu për shkak të kufizimeve të pjesëmarrjes në punë, të mundet me njëfarëlloj shtese financiare dhe një mbështetje, t’u sigurohet që të jenë në një nivel të një mesatareje si anëtarët tjerë.
Flasim edhe për grupacionin e bujqve, të cilët e kanë burim të vetëm aktivitetin e tyre bujqësor. Dhe, ideja jonë është që vazhdimisht të bëhet një analizë e të ardhurave të tyre në tremujorin e kaluar dhe, në bazë të asaj, të mund t’i jepet një mbështetje që të mund të mbërrihet një pagesë mesatare.
CIVIL Media: Cilat janë njohuritë tuaja për keqpërdorim të këtyre kategorive shoqërore, të qytetarëve të cilët janë të rrezikuar, në kontekst politik, e sidomos në kontekst zgjedhor? Po afrohen zgjedhjet dhe sigurisht partitë politike tentojnë që përmes premtimeve të ndryshme, përmes premtimeve të beneficioneve, të marrin sa më shumë përkrahje te votuesit…
Rexhepi: Po, është botërisht e njohur që puna e elitave politike, e koalicioneve qeveritare, subjekteve që kanë participuar në periudhën e kaluar, e kanë sjellë vendin në gjendje mjaft të rëndë ekonomike, ku, sidomos gjendja e grupeve të ashtuquajtura sociale, me të ardhura më të ulëta, është përkeqësuar dhe është tendosur edhe më shumë.
Kjo, një, ka ardhur për shkak të punës joefektive dhe për shkak të mos interesimit të tyre të sinqertë që të adresojnë këtë çështje ashtu siç duhet. Por, nga ana tjetër, edhe ka krijuar një terren për të manipuluar ose, të them, për t’i targetuar këto grupacione me premtime ose me disa ad – hok asistenca, sidomos në periudhën parazgjedhore.
Normalisht, kur ne jemi të vetëdijshëm për atë se numri i atyre që e lëshojnë vendin, të rinjtë që nuk shohin perspektivë këtu, zmadhohet dhe është mjaft i lartë, në trend ritës. Po ashtu, kemi numër të madh të familjeve, të cilat vazhdimisht janë të ballafaquara me borxhe të mëdha, me përmbarues e kështu me radhe, që nuk mund të mbulohen në bazë të të ardhurave të tyre. Dhe, kjo krijon një terren që për ato të jetë me rëndësi çfarëdo ndihme, asistence financiare, e cila do të ishte edhe në formën e dhënies të pagesave, ndarjes të ndihmave të ndryshme ose të parave në një periudhë, sidomos parazgjedhore. Dhe, në këtë mënyrë, pengohet shprehja e vullnetit të lirë, për shkak se kushtëzohet me dhënien e këtyre mjeteve financiare, si dhe shantazhohen edhe ato të cilët veç janë në sistemin e marrjes së ndihmave sociale, duke i kërcënuar se do të hiqen nga lista. Për ketë shkak, ne angazhohemi për vënie të një sistemi, i cili nuk do të funksionojë si instrument partiak, por një sistem që do të jetë transparent në atë mënyrë që t’i mbrojë dhe artikulojë nevojat dhe të drejtat e popullatës në përgjithësi.
CIVIL Media: Cilat premtime mund t’i konsiderojmë si një luajtje me pritjet e qytetarëve apo të votuesve?
Rexhepi: Është mjaft me rëndësi që subjektet politike të kenë një strukturë të njerëzve, të cilët do të angazhohen që të bëjnë diçka për ndryshimin e gjendjes dhe të shohin veten si një instrument në shërbimin e popullit, e jo anasjelltas. Do të thotë, edhe me zgjedhjen e tyre në marrjen e mandateve, ato ta dinë që kanë mandat nga populli dhe vijnë që t’i shërbejnë popullit dhe jo partisë, siç ka ndodhur deri më tani.
Për ketë shkak, është shumë me rëndësi që premtimet dhe platformat programore të mos jenë vetëm një copë letër, një suvenir atraktiv me shumë faqe dhe me premtime që nuk do të jenë të realizueshme, por edhe premtime që mundet të jenë të realizueshme, mirëpo nuk ka interes të subjektit për t’u implementuar. Ne mendojmë që të gjitha premtimet që jepen, nëse janë të sinqerta, ato mund të realizohen. Dhe, nëse janë me ide për t’u angazhuar dhe për t’i parë të gjitha mundësitë për t’u realizuar.
Tash, për momentin, mund të më kujtohet një nga çështjet, me të cilat manipulohet shpesh, është çështja e pensioneve dhe e pensionistëve.
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ka një krizë të thellë, që edhe institucionet financiare po shohin që sistemi pensional që është në Maqedoni është gati se para kolapsit, ndërsa ka disa subjekte politike të cilat flasin për rritjen e pensionit, edhe pse disa herë behët fjalë për përqindje qesharake. Vetëm se vetëm që të mund të kenë një poentim ose që të tregojnë se po ofrojnë diçka.
CIVIL Media: Cilat janë pasojat shoqërore, cilat janë pasojat politike prej këtyre keqpërdorimeve ?
Rexhepi: Pasojat shoqërore evidente janë se popullata vazhdimisht shkon drejt varfërimit dhe gjendja e tyre ekonomike sociale nuk përmirësohet, kështu që rritet një pakënaqësi e popullatës nga gjendja e tillë dhe, ajo reflekton që anëtarë të familjes më të rinj nuk shohin perspektivë në këtë vend dhe gjejnë, vazhdimisht analizojnë ueb faqe dhe mundësi për të dalë jashtë shtetit, që është një tragjedi e madhe që po na ndodh. Mandej, këtu hapet edhe shtegu i rritjes së kriminalitetit, për shkak se ekzistenca i detyron që të shihen dhe gjejnë rrugë alternative për sigurimin e mjeteve, të cilat nuk janë në kuadër të ligjeve.
Nga aspekti politik, kjo, si edhe thashë, krijon një thellim ndërmjet shtresës me mirëqenie të mirë, mos të them të shtresës së pasur dhe asaj të varfër. Do të thotë se ne gati kemi zhdukje të klasës së mesme në Maqedoni dhe, pasi që grupi i dytë, për fat të keq, është më i madh, shtohet terreni për target, për manipulim të këtyre votuesve , të këtyre familjeve. Dhe, ne nuk kemi shprehje të lirë të vullnetit ashtu siç duan ato, por është e imponuar që të mbështesin një opsion politik, i cili e dinë që nuk do të sjellë diçka të mirë , mirëpo bile për momentin do të japë disa mjete financiare për të mbuluar ndonjë nevojë momentale.
CIVIL- Qendra për Liri, realizon pilot-projektin “Premtime dhe keqpërdorime”, i cili merret me keqpërdorimin e drejtësisë sociale për qëllime politike dhe zgjedhore. Qëllimi i projektit është të kontribuojë për forcimin e vetëdijes publike për keqpërdorimet në domenin e drejtësisë sociale në kontekst zgjedhor, si dhe parandalimin nga praktikat manipuluese të qendrave të fuqive politike.
Projekti zbatohet në bashkëpunim me fondacionin “Hajnrih Bell” zyra – Sarajevë.
This post is also available in: MacedonianEnglish