Aktivizmi dhe përgjegjësia qytetare sa vjen e rritet edhe në Maqedoni. Rrjetet sociale kanë ndihmuar dukshëm në organizimin dhe sensibilizimin e opinionit. Edhe pse fillimisht në forma anonime dhe në grupacione jo formale, disa aktivistë civil kanë arritur që të sensibilizojnë opinionin vendor dhe në veçanti qytetarët për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Ky sensibilizim sa vjen e rritet edhe në vendbanimet shqiptare dhe tek popullata shqiptare në Maqedoni. Në disa qytete përmes rrjeteve sociale janë formuar grupe dhe faqe të ndryshme që në vazhdimësi denoncojnë ngjarje dhe raste të pahijshme, të dëmshme për vendin dhe qytetarët si dhe shkelje të ndryshme ligjore. “Duam Çair të pastër” dhe “Tetova që nuk duam”, janë dy faqe nga më të mëdhatë që përmes rrjetit Facebook publikojnë të gjitha denoncimet e qytetarëve për raste nga më të ndryshmet.
Por, e përbashkëta e këtyre grupeve që shkakton shqetësim në vete është se që të dyja veprojnë në mënyrë anonime, për shkak të frikës nga kërcënimet. CIVIL Media dhe Drejt kontaktuan administratorët zyrtarë të faqes “Duam Çair të pastër” të cilët edhe pse në formë anonime duke u përgjigjur përmes llogarisë së kësaj faqe, dhanë informata të hollësishme për punën e tyre. Nga kjo faqe njoftojnë se qytetarët e komunës së Çairit, ankohen për shumëçka, në përgjithësi ankohen për mungesë parkingjesh, për kohëzgjatjen e mbledhjes së mbeturinave nga Higjiena publike, kur thonë se ato merren dy herë në ditë, kurse numri i banorëve në Çair është afër 90 mijë banorë në 3km2! “Ankesa dhe denoncime ka edhe për uzurpime të sipërfaqes shoqërore, ndërtime të egra të cilat po vazhdojnë në komunën tonë Çair dhe nuk kanë të ndalur, edhe pse ne si OJQ kemi kërkuar nga këshilli komunal që të sjell një vendim ku do të shpall moratorium të ndërtimeve të reja sepse thjesht humbi gjelbërimi duke uzurpuar parqet me objekte banimi – ndërtesa! Por edhe shtimi i banorëve në 3km2 është problem ngase shkakton defekte të shumta në kanalizim dhe ujësjellës, kërkesat janë të mëdha kurse kushtet nuk janë për aq shumë banorë në kaq pak km/2, nuk mund të kuptojmë si lejohen ndërtime ku nuk parashihet garazhe për veturat ose mbjellje e gjelbërimit standard ky që kërkohet në Evropë? Shumë njerëz ndërtojnë shtëpi të mëdha, por vend për një garazhe për veturën e tij nuk e parasheh, më mirë i vjen të parkon veturën në rrugë”, thonë në përgjigjen e tyre nga faqja “Duam Çair të pastër. Qytetarët shpesh dërgojnë edhe ankesa për qentë endacakë, për të cilët ka denoncime edhe se transportohen nga qytete të tjera, për kushtet në shkollat fillore dhe të mesme, të cilat thuhet se janë me pullaze që kullojnë gjatë reshjeve.
Që nga dalja publike si OJQ dhe faqe në rrjetin social FB si “Duam Çair të pastër”, kemi parë se në disa sfera kemi ndikuar që të vrasim ndërgjegjen tek njerëzit rreth dukurive negative që na rrethojnë, thonë nga ky grup joformal. “Kështu që kemi marrë shumë herë fotografi ku me vetëiniciativë qytetarët kanë pastruar parqet, rrugët e rrugicat ku jetojnë, fotografitë e tyre kanë marrë pëlqime dhe lavdërime të shumta nga qytetarët tjerë si shenjë mirënjohje për punën e tyre, bile edhe fëmijët shpesh na kanë dërguar fotografi se si ata i mbledhin mbeturinat aty ku luajnë, se si pastrojnë me prindërit e tyre në parqe etj. Mund të themi se kemi gjetur më në fund (prej se u ndërrua drejtori) edhe me Higjienën Komunale. Punëtorët e HK na njoftojnë gati çdo herë gjatë pastrimit vendeve nga mobiljet që i hedhin qytetarët vend e pa vend, madje tani nëse i njoftojmë, shkojnë dhe i marrin ato mobilje aty ku qytetari i hedh, kështu që jemi shumë të kënaqur nga HK, por ka edhe shumë për të bërë”, thonë në përgjigjen me shkrim nga “Duam Çair të pastër”. Nga grupi tjetër i organizuar përmes një fanpage në Facebook “Tetova që nuk duam”, nuk morëm përgjigje, ndërsa edhe ky grup funksionon në formë anonime. Por gjatë një kontrolli të përmbajtjes vërehet se edhe në këtë faqe ka denoncime të qytetarëve nga më të ndryshmet.
Përkrah postimeve të shumta, në faqen “Tetova që nuk duam” ka dhe ankesa për sjellje të drejtuesve të institucioneve dhe të afërmve të tyre. Një nga rastet e tilla është edhe bashkëshorti i kryetares së Komunës së Tetovës i cili është fotografuar dhe publikuar nga qytetarët duke parkuar veturën e tij në rrugë në disa raste. Por përveç ankesave ndaj institucioneve, autoriteteve komunale dhe figurave publike, kjo faqe punon shumë edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Në publikime të shumta qortohen qytetarë të papërgjegjshëm të cilët shkaktojnë rrëmujë në komunikacion, nuk kujdesen ose dëmtojnë ambientin dhe higjienën publike dhe raste të ngjashme.
– Anonimiteti si pasojë e kërcënimeve dhe pasigurisë
Faqja “Tetova që nuk duam” ka qenë shpesh herë në qendër të sulmeve nga aktivistë partiakë, rreth asaj se kush e mbështet dhe kush e administron faqen, edhe pse në të nuk vërehet asnjë veprim kundërligjor ose në dëm të ndonjë grupi të caktuar shoqëror. Në anonimitet ka kaluar edhe faqja tjetër që vepron në Shkup, “Duam Çair të pastër”. Aktivistët e “Duam Çair të pastër” fillimisht kanë dalë publikisht, madje edhe me intervista televizive, por kërcënimet kanë qenë shkaktarë që këta aktivistë të tërhiqen nga këto aktivitete dhe pasuesit e tyre të mos publikojnë identitetin. “Edhe në inboxin tonë të faqes tonë kanë erdh shumë kërcënime të ndryshme, por nuk i kemi denoncuar sepse e dimë si funksionon aktualisht, nuk ka besim te institucionet më shkurtë! Njërës nga aktivistet tona i janë shpuar gomat e veturës, është kërcënuar në forma të ndryshme, prandaj aktivistët tanë nuk dalin publikisht të flasin rreth aktiviteteve! Më së tepërmi ka pasur kërcënime nga ata që uzurpojnë vendet publike, nga ata që ndërtojnë në mënyrë joligjore, por kujt t’i ankohesh, ata që kanë gjetur mënyra për të ndërtuar në sipërfaqe publike, sigurisht se kanë lidhjet e tyre edhe në vende tjera për të “mbrojtur aktivitetin e tyre” uzurpues! Nga ana tjetër, shteti gjen arsye se qytetarët nuk ankohen prandaj gjen pretekst se nuk mund të intervenon!”, përgjigjen në formë të shkruar nga “Duam Çair të pastër” në pyetjen tonë se përse nuk deklarohen publikisht. Nga kjo organizatë shtojnë se gjatë “kemi qenë 12 OJQ te ambasada Amerikane dy vite më parë dhe aty pamë se të gjithë kishin frik të ankohen publikisht sepse preken interesat e oligarkëve të pushtetit, kurse ata lidhjet i kanë gjithandej nëpër institucione të ndryshme, dhe sigurisht se nuk ka gatishmëri te asnjë aktivist nga këto OJQ që të dëmtohet, sepse këta oligarkë gjejnë mënyra dhe metoda për të dëmtuar individët e këtyre OJQ-ve!”. Por edhe përkundër mungesës së sigurisë dhe rritjes së kërcënimeve aktivistët e këtyre lëvizjeve dhe iniciativave joformale thonë se nuk e kanë ndër mend të ndalojnë, por përkundrazi do të shtojnë aktivitetin e tyre deri në rritjen e plotë të vetëdijes qytetare dhe institucionale në vend.
Arben Zeqiri