Shkruan: Dijana Tahiri
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]SH[/dropcap]pesh mendohem në drejtim të identiteteve që i posedoj. Si njeri, grua, nënë, shoqe, kolege, punëtore, amvise dhe për disa identitete etnike të cilat thuren në qenien time në këtë vend.
Quhem Dijana, mbiemrin e kam Tahiri. Mbiemri im i vajzërisë është Jumeroviq, i nxjerrë nga mbiemri Imeri, gjatë kohës së luftës së parë botërore, që ka vazhduar të jetë në atë formë edhe pas luftës së dytë botërore, e pastaj në sistemin komunist. Diku pranë fundit të sistemit komunist në Jugosllavinë e atëhershme, njerëzit filluan t’i kthejnë mbiemrat autentikë, nga “ski”, “viq” ose “ov”, varësisht nga pozita gjeografike e qëndrimit të paraardhësve të cilëve ua kishin ndryshuar mbiemrat, me qëllim asimilues. Unë nuk arrita ta ndryshoj mbiemrin, sepse u martova, dhe pa u menduar shumë e pranova mbiemrin e bashkëshortit tim. Nuk e ndryshova mbiemrin as pas vdekjes së tij, sepse nuk doja t’i shkaktoj edhe më tepër huti vajzës sime e cila ishte në moshë shumë të vogël kur mbeti pa një prind.
Mbiemri im me “përcaktim” serb – “viq”, personalisht, nuk më ka shkaktuar ndonjë huti ose pasiguri në kuptimin e identitetit. Identiteti im etnik, nga babai dhe nëna, është shqiptar, i përzier edhe me disa tjerë nga ana e babait tim. Asnjë identitet tjetër, përskaj këtij, zyrtarit, me të cilin paraqitem kur kërkohet nga unë, dhe paraqitem me shkrim dhe gjuhën me të cilën komunikoj me familjen time më të ngushtë, asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë kërcënim për të dytin, të tretin…
Megjithatë, në shoqërinë në të cilën jetoj, nuk është aq thjeshtë. Gjatë jetës sime të deritanishme, identiteti im – Shqiptare, shpesh nuk është i pranuar, sepse, dikujt nuk i kam ngjarë si Shqiptare. Nga Shqiptarët, me të cilët e ndaj identitetin, gjithashtu kam pasur mospranim të identitetit, për ata gjithashtu shpesh nuk i ngjaja një Shqiptareje, dhe kjo ka të bëjë me stereotipet e zhvilluara në të gjitha komunitetet në Maqedoni. Për shembull, kur u regjistrova në shkollë të mesme, vendosa të mësoj në gjuhë maqedonase. Në ditën e parë të mësimit, u takuam të gjithë nxënësit e klasës, dhe pasi kuptuan se jam shqiptare, disa nxënës më rrethuan dhe më parashtruan pyetje shumë interesante dhe qesharake. A jam e zezë nga lindja, ose kam qenë në det… “ sepse ju nuk shkoni në det, apo jo?”. Ose, a punon nëna ime, dhe kur u tregova se punon, më pyetën se si vishet kur shkon në punë. Nuk durova pa bërë shaka me përgjigjen time: “Ka dimi të veçanta. Nga një palë për çdo ditë”. Më vonë kuptova se shumica e nxënësve të klasës asnjëherë nuk kanë pasur kontakt me ndonjë shqiptar gjatë jetës, prandaj edhe kishin pasqyrë të gabueshme se si duket një shqiptare ose shqiptar, gjegjësisht, nuk kishin fare pasqyrë, por se pasqyrën e kishin të përçuar. Gjatë vijimit katërvjeçar të shkollës së mesme, u shoqëruam shumë, pa përjashtime. Madje erdhën edhe në shtëpinë time si mysafirë, nga kureshtja, që më pas të kuptojnë se jetojmë, sillemi, ushqehemi, bëjmë çdo gjë në mënyrë të ngjashme, përveç se flasim në gjuhë të ndryshme. Këto gjëra nuk më penguan në formimin tim në person të pjekur dhe të sigurt, përkundrazi, madje më ndihmuan.
Mirëpo, me siguri se më pengon kur dikush, në vendlindjen time, më quan pakicë, minoritet. Sepse sipas bindjes sime, askund në botë nuk duhet të ketë pakica, kur bëhet fjalë për identitetin njerëzor. Mendoj se numri administrativ nuk duhet ta përcaktojë statusin e një populli në një shtet të caktuar. Imagjinoni Evropën si një shtet, dhe dikush në atë shtet vazhdimisht t’u quajë minoritet, t’ua fërkojë hundën me të drejta të cilat vazhdimisht ti jep, sepse si komunitet me numër më të vogël, sikur është rregull se duhet t’i meritoni, dhe të jeni në mëshirën ose (jo) mëshirën e dikujt. E zgjodha Evropën si shembull, sepse trendi i sotëm është anëtarësimi në këtë bashkësi të madhe, me shumë lëshime nga ana e vendit tonë,
plotësime dhe detyra të kryera ndaj këtij përcaktimi, me qëllim përfundimtar, barazi mbi të gjitha bazat. Imagjinoni se si ndjehemi ne, tjerët, në shtetin tonë të përbashkët…
Sa i përket asaj nëse me anëtarësim në BE, bashkëqytetarët e mi Maqedonas do ta humbasin identitetin e tyre, jam e bindur se nuk do ta humbin. Sido që të quan dikush, çdo herë do të mbetesh ajo çfarë je. Çdo herë kam luftuar kur më kanë sulmuar njërin nga identitetet e mia, çdo herë ka dikush që i pengon identiteti tjetër, kur bëhet fjalë për identitetin etnik, sepse për momentin bëhet fjalë pikërisht për atë etnik.
Më tepër se çdo gjë, më pengon kur identiteti im gjinor, etnik dhe intelektual shfrytëzohet për përfaqësime përqindjesh në raste të caktuara. Sepse qenia njerëzore në thelb është përbërje e shumë identiteteve, të cilat me ndërthurjen e tyre brenda në njeriun, si fizik, si qenie intelektuale, përbëjnë një tërësi. Kur ajo tërësi ndahet, gjegjësisht, kur nga ajo tërësi shfrytëzohet vetëm një pjesë, për nevoja utilitare, duke i lënë anash pjesët tjera të asaj tërësie, atëherë fitohet vetëm një pasqyrë, përgjigje, lëvizje, cilësi e pjesërishme, pa shkëlqyeshmërinë që e mban në vete një qenie njerëzore e plotë.
[divide]
Teksti është pjesë e publikimit “Humbje e identitetit ose… ? nga projekti i CIVILIT me emrin e njëjtë në bashkëpunim me Fondacionin Hajnrih Bell nga Gjermania.
This post is also available in: MacedonianEnglish