shkruan: MIRJANA NAJÇEVSKA
Ndotja, mbeturinat, ajri, ujërat, gjelbërimi, minierat, janë subjekt i interesit të organizatave të shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve dhe pika presioni ndaj çdo partie politike që lufton për të marrë pushtetin në Maqedoni.
Vlerat e gjelbra u bënë pjesë e pamfleteve zgjedhore, programeve të partive dhe premtimeve zgjedhore në Maqedoni. Përdoren fjalë, shprehje të përshtatshme, skicohen përkufizimet e programit.
Sidoqoftë, opsioni i gjelbër nuk është vetëm një grup synimesh, planesh, madje edhe aktivitetesh. Është një sistem kompleks që ndryshon rrënjësisht mënyrën e funksionimit, metodat dhe mjetet e përdorura, matjen e rezultateve dhe qëllimin që duhet të arrihet.
Sipas Konventës së të Gjelbërve Evropian: “Të Gjelbrit Evropianë mbrojnë me krenari zhvillimin e qëndrueshëm të njerëzimit në planetin Tokë, një zhvillim që respekton të drejtat e njeriut dhe ndërtohet mbi vlerat e përgjegjësisë për mjedisin, lirinë, drejtësinë, diversitetin dhe mos-dhunën.” Opsioni i gjelbër përfshin: demokracinë, ndryshimin e klimës dhe energjetikën, ekonominë dhe marrëdhëniet e punës, të drejtat e njeriut, drejtësinë sociale dhe shëndetin, mjedisin, ushqimin, politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë.
“Fjalët” e gjelbra janë gjerësisht të pranishme në programin e Qeverisë së re. Programi u referohet vlerave që patjetër mund të njihen si “të gjelbra” dhe parashikon aktivitete që synojnë arritjen e qëllimeve “të gjelbra”.
Shtrohet pyetja, a është ky thjesht një grup elementësh të hedhur në mënyrë të rastësishme ose pjesë e një qasjeje të menduar mirë që ofron një rrugëdalje “të gjelbër” nga situata aktuale.
Me leximin nga afër të programit, mund të shihet mungesa e disa treguesve shumë të rëndësishëm që tregojnë një qasje realiste dhe sistematike të ndërtuar mbi kuptimin dhe angazhimin e vërtetë për të ndryshuar, si dhe zgjidhje kontradiktore që nuk mund të ekzistojnë kurrë si pjesë e një sistemi të vetëm dhe të qëndrueshëm.
Çfarë duhet të ndryshojë që programi i Qeverisë të gjelbërohet?
- Lufta kundër Ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së mjedisit përmendet vazhdimisht në nivelin e një angazhimi të përgjithshëm, megjithatë, ajo nuk veçohet si përparësi në kontekstin e alokimeve financiare.
Programi i Qeverisë nuk përfshin një sërë aktivitetesh që normalisht janë të pranishme në programet e “opsionit të gjelbër”.
Ja ca shembuj:
- Nuk përmendet dekarbonizimi i sistemit energjetik dhe periudha kohore në të cilën do të zbatohet. Përkundrazi, minierat e qymyrit janë pjesë e planeve afatgjata të Qeverisë;
- Politikat dhe aktivitetet nuk përmendin legjislacionin për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të habitateve të botës së egër, tokës, peizazhit, monumenteve antike dhe trashëgimisë së fshatit; nuk përmend jetën e egër dhe mbrojtjen e zonave të botës së egër, as mbrojtjen e pyjeve dhe veçanërisht importin e pakontrolluar të specieve bimore jo-autoktone që mund të rrezikojnë eko-bashkësitë ekzistuese në Maqedoni;
- Programi i Qeverisë nuk përmend një qasje të re ndaj guroreve dhe minierave (megjithëse ato janë shqetësimi kryesor i “opsionit të gjelbër” dhe u theksuan si problem nga vetë qytetarët e Maqedonisë);
- Kur bëhet fjalë për bujqësinë, nuk përmendet shkurtimi i zinxhirëve të furnizimit që do të vendosin lidhje të drejtpërdrejta midis prodhuesve dhe konsumatorëve në mënyrë që të maksimizojnë të ardhurat e zonave rurale dhe të përmirësojnë furnizimin me ushqime të shëndetshme dhe të freskëta ose përdorimin shumë qëllimesh të zonave rurale;
- Përkundër opsionit të gjelbër që dekurajon konsolidimin e fermave bujqësore dhe që mbështet sisteme të vogla bujqësore, të orientuara drejt mjedisit, që mbrojnë tokën, biodiversitetin dhe burimet ujore, programi i Qeverisë favorizon konsolidimin e fermave bujqësore;
- Menaxhimi i mbeturinave nuk vihet në kontekstin e mentalitetit të konsumatorit dhe zhvillimin e një psikologjie të re të ri-përdorimit të gjërave tashmë të përdorura, zvogëlimin e prodhimit të mbeturinave dhe një ndarje të qartë të llojit të mbeturinave (për shembull – organik, i cili mund të përdoret për kompostim nga familjet individuale).
- Programi nuk krijon një sistem të qartë hierarkik në menaxhimin e mbeturinave: ripërdorimin, riciklimin, rishfrytëzimin.
- Lufta kundër ndotjes është reduktuar kryesisht në mënyra të ndryshme të matjes së ndotjes, dhe e drejta për ujë të pijshëm të pastër nuk rritet në nivelin e një kategorie ligjore. Programi nuk ka ndalim kohor për automjetet me naftë, as për importin e automjeteve të vjetra (përkundrazi, bëhet fjalë për rregullimin e tregut me automjete të përdorura).
2. Programi i Qeverisë flet shumë për sundimin e ligjit, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit, por nuk ka një kontekst më të gjerë dhe një qasje “të gjelbër” për vlerësimin e tyre.
Për shembull:
- Programi nuk përmend pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes përmes formave të demokracisë së drejtpërdrejtë (e cila sipas “opsionit të gjelbër” është forma më e lartë e demokracisë). Kjo nënkupton qasje të gjerë në informacion (jo përmes mediave, por nga vetë organet shtetërore), kanale të zhvilluara të ndikimit (shumë më lart se niveli i komunikimit të thjeshtë me qytetarët), ndryshime sistematike në procedurat dhe ligjet e vendimmarrjes (e cila është e papajtueshme me ligjvënien me procedurë përmbledhëse ose ndryshim të shpejtë të ligjeve) dhe shumë referendume për çështje të ndryshme.
- Krimi dhe lufta kundër krimit nuk vendosen në kontekstin e faktorëve sociale që e inkurajojnë ose e mundësojnë atë. Theksi është në politikën penale në vend të parandalimit. Kur flasim për krimin dhe ekonominë përhitur, nuk po flasim për varfërinë, varësinë dhe pabarazinë si burime të krimit, as për probacionin, duke ndihmuar në tejkalimin e problemeve dhe adresimin e problemeve reale që kanë çuar në aktivitete kriminale. Roli i shërbimeve sociale, psikologëve dhe llojeve të tjera të mbështetjes së komunitetit në luftën kundër krimit nuk përmendet. Drejtësia restauruese si një opsion “i gjelbër” nuk përmendet në programin e Qeverisë.
- 3.”Opsioni i gjelbër” e vë personin si një individ dhe si pjesë e kolektiviteteve në qendër të vëmendjes dhe kujdesit dhe, në të njëjtën kohë, i jep atij një rol shumë aktiv në menaxhimin e shtetit. Në programin e Qeverisë, individi/qytetari është kryesisht pasiv dhe më shumë një objekt veprimi sesa një njësi ekonomike që është bartës i aktiviteteve.
Për shembull:
- “Opsioni i gjelbër” për sa i përket kulturës promovon një shans sa më të lartë të mundshme që qytetarët të marrin pjesë në gëzimin dhe praktikimin e artit dhe të mbështesin organizatat jo-tregtare të artit, që mungon në programin e Qeverisë;
- Liria e shërbimit të mediave publike duhet të sigurohet në një kuptim të dyfishtë (nga ndikimi i qeverisë në përmbajtje dhe nga ndikimi ekonomik që ‘lidh’). Kjo nuk do të thotë mungesë fondesh për shërbimin kombëtar mediatik, por shpërndarja e tyre në një mënyrë që nuk kufizon ose drejton mediat;
- Aftësia e kufizuar në programin qeveritar trajtohet si një problem që lind nga individi dhe që individi duhet të përball dhe të merret me të, në vend se si një problem të krijuar nga komuniteti dhe me të cilin duhet të merret komuniteti. Në këtë mënyrë (të gjelbër) të shikimit të gjërave, nuk duhet përshtatur individi me komunitetin, por duhet të ndërtohet një komunitet që mundëson, përshtatet dhe heq barrierat (ndërtimore, diskriminuese, stereotipike, barrierat paragjykuese).
- 4.Ekonomia e gjelbër është e përqendruar në arritjen e barazisë dhe drejtësisë sociale. Ka shumë pak në programin e Qeverisë për shpërndarjen e barabartë të burimeve, shpërndarjen e barabartë të pasurisë, të mundësive dhe fuqisë.
Për shembull:
- Nuk përmendet ndryshim në matjen e pasurisë dhe zhvillimit të vendit. Sipas qasjes së gjelbër për zhvillimin ekonomik, niveli i produktit kombëtar bruto është një tregues i dobët i progresit real dhe nuk mat sensin real të mirëqenies së njerëzve. Nëse promovohet opsioni i gjelbër, duhet të futet matja e të ardhurave themelore universale dhe duhet të promovohen aktivitete që bëhen tregues të rëndësishëm që matin qëndrueshmërinë, barazinë, dekoncentrimin e fuqisë.
- Nuk ka asnjë përgjegjësi për sektorin e biznesit në Programin e Qeverisë. Në të kundërt, “Opsioni i gjelbër” kërkon përgjegjësi më të madhe për biznesin e madh. Përveç pagave të drejta dhe detyrimeve të paguara për punëtorët, kjo do të thotë të kufizosh rritjen e tepërt të pagave në strukturat e larta drejtuese, për të kryer një auditim të pavarur të ndikimit të tyre social dhe ndikimit në mjedis (përdorimi i ujit dhe energjisë, menaxhimi i mbeturinave, diskriminimi, detajet e të gjitha incidenteve shëndetësore dhe rreziqet mjedisore).
- Programi i Qeverisë nuk ka përmbajtje në lidhje me funksionimin e bankave dhe pozicionin e tyre në komunitet. Nuk ka asnjë fjalë për ndryshimet në sistemin bankar, ekzekutimet dhe të ngjashme. Përkundrazi, sipas Programit, “Qeveria do të propozojë një ligj të veçantë për engjëjt e biznesit (çfarëdo që të thotë kjo) dhe ndryshime në ligjin për fondet e investimeve, i cili do të zvogëlojë ndjeshëm kufizimet në krijimin e fondeve të investimeve. Ne do të mundësojmë formimin e fondeve hibride të kapitalit sipërmarrës, dmth. do të sigurohen fonde në të cilat, përveç qeverisë, si investitorë mund të paraqiten edhe investitorë institucionalë dhe privatë, korporatat, bankat, fondet e pensioneve dhe engjëjt e biznesit.” Për dallim nga kjo qasje, “Opsioni i gjelbër” e konsideron sistemin bankar ekzistues si jodemokratik, të padrejtë dhe të dëmshëm. Sipas “qasjes së gjelbër”, bankat jo vetëm që prodhojnë para, por gjithashtu vendosin se si do të përdoren, dhe e përdorin këtë fuqi për të financuar spekulime dhe huazime të pamatura të hipotekave, në vend që të financojnë investime në biznese prodhuese (shembulli i fundit i kësaj është Banka Eurostandard). “Opsioni i Gjelbër” mbron heqjen e së drejtës për të krijuar para nga bankat private, vendosjen e kontrollit të plotë demokratik dhe publik dhe drejtimin e fondeve në sferat në fushën e mjedisit dhe përfitimeve sociale, energjisë së rinovueshme, strehimit social dhe mbështetjes për aktivitetet e biznesit në bashkësi.
- Programi i Qeverisë stimulon partneritetin publiko-privat, i cili është gjithashtu në kundërshtim me drejtimet e zhvillimit të ofruara nga “opsioni i gjelbër”, të cilat stimulojnë fondet publike për ndërtimin e spitaleve, shkollave dhe infrastrukturës së shërbimeve të tjera publike. Të Gjelbrit shprehin një dyshim shumë të hapur se individi privat do të angazhohet për të mirën publike dhe se në rast të një konflikti midis mundësisë së fitimit dhe mundësisë së rrezikimit të mjedisit, ai (individi privat) do të heqë dorë nga fitimi.
- Në program, të drejtat e punëtorëve maten me nivelin e kënaqësisë së punëtorëve të vendosur vetëm në funksion të produktivitetit të tyre, në vend që të vendosen në kontekstin e cilësisë së jetës, kushteve të punës (si një vend me një përqindje të lartë të vdekjeve në punë dhe respektimi shumë i ulët i masave të sigurisë në punë, kjo padyshim duhet të bëhet një përparësi), kohën e lirë, mbrojtjen përmes gjykatave speciale (gjykatat e mosmarrëveshjeve të punës që janë shumë më të arritshme dhe të orientuara drejt zgjidhjes së shpejtë të kontesteve), dhe procedurat, mbrojtjen e shëndetit.
E gjithë kjo flet për mungesën e njohurive ose synimin për të përdorur vlerat e opsionit të gjelbër si vlera të zhvillimit të mëtejshëm të vendit. Mungesa e kësaj perspektive krijon kushte për të ngecur më tej pas zhvillimit të idesë së gjelbër në vendet e BE-së, cilësi të ulët të jetës njerëzore (me gjithë kompleksitetin e këtij parametri) dhe mbrojtje shumë të kufizuar të mjedisit.
RRETH AUTORES
Mirjana Najçevska, Doktor i shkencave juridike, profesor i rregullt në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi ”në Shkup. Interesat themelore: të drejtat e njeriut (diskriminimi, të drejtat e pakicave dhe grupeve të margjinalizuara, liria e mendimit dhe shprehjes, sundimi i ligjit dhe shteti ligjor), marrëdhëniet ndëretnike, decentralizimi dhe vetëqeverisja lokale. Është e përfshirë në punën e disa OJQ-ve dhe shoqatave joformale civile (ish President i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Qendrës për të drejtat e njeriut dhe zgjidhjen e konflikteve). Kolumniste e CIVIL MEDIA dhe anëtare e Bordit të ekspertëve të CIVIL-it. Në nivel ndërkombëtar – pjesë e punës së disa organeve profesionale dhe eksperte në kuadër të KB-së, BE-së dhe Këshillit të Evropës.