Mijëra qytetare dhe qytetarë marshuan nëpër rrugët e Shkupit deri te Parlamenti, nën sloganin “Lufta vazhdon, zëri fiton “, me rastin e kryengritjes së 11 tetorit.
Marshimi filloi në ora 14 para Prokurorisë Publike Speciale, mijëra pjesëmarrës ecën bulevardit “Aradhat Partizane” deri te Parlamenti, ku në skenë, me muzikë i pritën grupi nga Velesi “Le Man” bashkë me Petrit Saraçinin.
Duke klithur “Liri!” dhe duke uruar festën e cila duhet të simbolizojë luftë për liri, dinjitet dhe barazi, qytetaret dhe qytetarët me flamuj të ngritur nga të gjitha kombësitë, të drejtuar, dhe njëzëshëm e përshëndetën Kristina Arnaudova, e cila e këndoi himnin e Maqedonisë.
Para qytetarëve u drejtuan Gjorgji Gjorgjievski nga Bashkimi i Veteranëve të Luftës, aktivisti qytetar Vasko Lazarevski, aktivistja Ivana Tufegxhiq, aktorja Irena Ristiq, ndërsa në fund u drejtua njëri nga iniciatorët e marshit qytetar, Zoran Zaev.
“Pavarësisht nga përkatësia fetare, kombëtare, gjinore, sot kemi ngritur kokën dhe kemi vendosur të mbrohemi nga dushmanët tonë, me zërin tonë të godasim armiqtë tonë dhe armiqtë e lirisë. Ditët që vijojnë do t’a vendosin fatin e qytetarit. Duhet t’i dëbojmë të gjithë tradhtarët, politikanët e korruptuar, që të ecim drejt lirisë. Vdekje fashizmit, lufta vazhdon, zëri fiton!”, thuhet në Manifestin e marshit qytetar, të cilin e lexoi Irena Ristiq.
“Ka ardhur koha e cila na fton të gjithë. Ka ardhur koha të marrim përgjegjësinë për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Ka ardhur koha t’i premtojmë Republikës së Maqedonisë, në emër të gjithëve që i dhanë jetët për ne dhe për atdheun tonë të përbashkët, dhe në emër të gjeneratave që vijnë pas nesh. Për këtë arsye, ky marsh qytetar që e tregon vendosmërinë tonë, është i rëndësishëm”, tha Zoran Zaev në fjalimin e tij para mijëra qytetareve dhe qytetarëve.
Marshi qytetar mbaroi me porosi deri te pushteti, se lufta për liri vazhdon, ndërsa Maqedoninë e pret çlirimi nga regjimi dhe fitore e demokracisë dhe drejtësisë.