Dyzet ditë para zgjedhjeve, klima politike në Maqedoni është e nxehtë. Partitë politike bëjnë kalkulimet dhe analizat zgjedhore me qëllim ta nxjerrin potencialin më të mirë kadrovik dhe opsionet më të mira për koalicionim, me të cilat do ti fitojnë simpatitë nga elektorati. Mirëpo, periduha parazgjedhore në Maqedoni – vend me demokraci të rrënuar, shënon presione, kërcënime, ushtrohet mobing politik mbi qytetare/ët, ndërsa nga ana tjetër, është i qartë nervozizimi te funksionarët politik nga pushteti.
Sjellja e paedukatë e ministrit plotësues për punë dhe politikë sociale, Dime Spasov, gjatë kësaj fundjave, shpalosi një pjesë nga keqpërdorimet e pushtetit, manipulime, mobing politik ndaj të punësuarve, “përpunim të fakteve”. Në vend të pasqyrës së realitetit të rrënuar shoqëror- politik në Maqedoni, publikut i ofrohet prizmë njgyrë vjollce e pushtetit i cili lufton ashpët për ruajtjen e fuqisë.
U zhdukën 40 vula të KSHZ
Para zgjedhjeve, u zhdukën 40 vula të Komisionit Zgjedhor Shtetëror (KSHZ) nga depoja në kazermën “Ilinden”, për komunat: Sopishte, Bërvenicë, Butel dhe Likovë. Këtë e ka zbuluar Komisioni i KSHZ, i cili ka bë regjistrimin e materialeve zgjedhore. Vulat do të zëvendësohen me të reja dhe të ndryshme nga të parat, lajmëroi KSHZ dhe theksoi se mungesa e vulave nuk do të thotë se janë të vjedhura, por se ekziston mundësia që vulat mos janë kthyer nga zgjedhjet e kaluara.
KSHZ e vendosi në inspektim edhe Listën e pastruar të votuesve. Për momentin po zhvillohet paraqitja për votim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në përfaqësitë diplomatike- konsulare të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit.Ispektimi dhe paraqitja do të zgjasë deri më 11 nëntor, ndërsa lista do të mbyllet më 21 nëntor. Qytetare/ët mund ti kontrollojnë të dhënat e tyre në Listën e Votuesve në zyrat rajonale të KSHZ dhe në faqen e internetit http://listaevotuesve.gov.mk
Miërpo, konstatimi për vulat e zhdukura dhe paraqitjet e qytetarëve për anomali të ndryshme në Listën e Votuesve të tipit – adresa të dyfishta për një votues, prania e qytetarëve aktiv në listën e “fantazmave”, evidentimi i votuesve në adresa jo të sakta, sipas ekspertëve, nuk nxisin besimin në KSHZ dhe që tani vendosin hije mbi procesin e ardhshëm zgjedhor. Ndërsa, marrëveshja e Përzhinës dhe ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar ishin me qëllim- zgjedhje të drejta dhe të besueshme, si kusht kryesor për dalje nga kriza politike.
“Uniteti” me Iniciativë në Gjykatën kushtetuese për kontestimin e zgjedhjeve
Partia Uniteti e Gëzim Ostrenit ka ngritur Iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese, për kontestimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të, sipas tyre, mosbalancimin e njësive zgjedhore, në veçanti problemin me Njësinë e Gjashtë Zgjedhore, i cili ishte vënë në dukje nga KSHZ disa herë, mirëpo për të cilin Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi nuk treguan interes për zgjidhje. Nga Uniteti janë të vendosur se do të marrin pjesë në zgjedhje, dhe thonë se qëllimi me Iniciativën është të dëshmojnë se pushteti i VMRO-DPMNE dhe BDI edhe një herë shkel Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, në mënyrë që lejuan qëllimisht në Njësinë e Gjashtë të ketë devijime në numrin e votuesve.
Eteri mediatik edhe më tej i infektuar me viruset qeverisëse
Informim jo i balancuar, mosrespektim i rregullores ligjore, transmetim i përmbajtjeve informative që krijojnë opinionin publik, sipas të cilave, pothuajse nuk ka dallim mes shtetit dhe partisë. Në këtë mënyrë funksionojnë pjesa më e madhe e mediave të cilat ende nuk mund të shërohen nga “infektimet me viruse të qeverisë”. Nga ana tjetër, numri i mediave të cilat luftojnë guximshëm ta mbajnë qasjen e balancuar në procesin informativ, është i vogël. Kjo është pasqyra për hapësirën e mediave në këtë periudhë parazgjedhore. Ad hok trupi ka analizuar Raportin e Pestë për punën e 18 mediave nacionale. Komisioni me tre vota “për” dhe dy “kundër”, propozoi ngritje të procedurave penale kundër televizioneve: Sitel, Alfa dhe Nova. Se gjendjet në sferën e mediave janë të polarizuara, tregon edhe fakti se dy anëtarë të ad – hok komisionit, kanë votuar kundër këtyre propozimeve. Sipas tyre, ligji dhe Metodologjia e Agjencisë për Media, zbatohet papajtueshëm.
PSP e ekspozuar ndaj kritikave të mëdha nga Prokuroria
Eksperti i jashtëm i siguruar nga prodhuesi i pajisjes për përgjimin e telekomunikacioneve, ka marrë të dhënat nga serverët e atjeshëm, në përputhje me urdhrin e gjykatës, siç lajmëroi Prokuroria Speciale Publike për ndjekjen e veprave penale, të cilat rrjedhin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikacioneve. Eksperti nga “Erikson” pritej të arrijë për më tepër se një javë, derisa softueri në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) ka qenë nën siguri dhe mbikëqyrje të Ministrisë për Punë të Brendshme. Nga PSP thonë se të dhënat deri te të cilat arritën, janë dëshmi me rëndësi kyçe në një rast të pa publikuar për përgjimin, i cili duhet të shpalos se kush i ka ndjekur paligjshëm komunikimet , gjegjësisht, nëse këtë e ka bërë DSK ose shërbime të huaja, sipas akuzave të pushtetit.
Ministrja për Kulturë, Elizabeta Kançeska – Milevska si e dyshuara e parë në rastin e PSP- “Tenderë”, ka qenë në dëgjim në Gjykatën Penale te gjykatës në procedurë paraprake.
Gjykata Themelore Shkup 1, përmes lajmërimit në ueb faqen, informoi se gjykata për të gjitha vendimet e tyre në lidhje me thirrjen në dëgjim të personave të përfshirë në raste hetimore dhe parahetimore të cilat i udhëheq PSP, do të informojë përmes kumtesave. Sipas Gjykatës, me veprimet e PSP bëhen spektakle dhe nuk mbahet llogari për prezumimin e pafajësisë dhe ligjshmërinë veprimeve.
Prokurorët publik nga Gjykata themelore kanë dërguar letër të hapur deri te Prokurorja Speciale Katica Janeva, duke vënë në dukje pakënaqësinë nga veprimet dhe siç thonë, “jo – profesionalizmi i turpshëm me të cilin e dëmton profesionin e prokurorisë publike”.
CIVIL- Qendra për Liri ka shprehur mbështetje të fuqishme ndaj PSP, në procesin e shpalosjes së të gjitha veprave penale me qëllim – kthimin e sundimit të drejtësisë në shtet.
Pushteti premton vende të reja të punës, derisa qytetare/ët ankohen nga punësimet partiake
Derisa një pjesë e aktorëve të Qeverisë mbjellin mjegull mbi problemet me papunësinë, punësimet partiake dhe stagnimin ekonomik dhe e theksojnë pozicionimin e Maqedonisë në listën nga 10 ekonomitë botërore dhe 5 ekonomitë evropiane për udhëheqje biznesi, sipas “Doing business”, reagimet e qytetarëve – viktima të korrupsionit politik, bëhen më të zëshme.
Si shembull për sjellje të papërshtatshme këtë javë ishte pikërisht Ministri plotësues për Punë dhe Politikë Sociale, Dime Spasov, i cili me makinë zyrtare shkaktoi dy fatkeqësi trafiku, duke goditur dy makina. Sipas MPB, ai ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa vozitës, i punësuar në Ministrinë për Punë dhe Politika Sociale, është paraqitur para ekipit hetues si alibi i tij, që ta merr përsipër përgjegjësinë. Në rrjetet sociale ky incident shkaktoi reagime të furishme. Qytetaret dhe qytetarët adresojnë kritika të ashpra dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.
Qytetaret dhe qytetarët kanë të drejtë dhe obligim të marrin pjesë në krijimin e shoqërisë së tyre. Këto janë edhe rekomandimet e CIVIL- Qendrës për Liri, në pajtim me Kartën Qytetare, të promovuar në konferencën ndërkombëtare “Perspektivat Globale”, që u mbajt në Berlin, nënshkrues i të cilës është edhe CIVIL, në vargun e 50 organizatave nga bota.
Monika Taleska