Në konferencën “Keqpërdorime të drejtësisë sociale për qëllime zgjedhore”, e cila në organizim të CIVIL-Qendrës për Liri u mbajt sot, presidenti i CIVIL, Xhabir Deralla e prezantoi pilot-projektin “Premtime dhe keqpërdorime”.
“Pa përjashtime, të gjithë bashkëbisedueset dhe bashkëbiseduesit, përgjigjen me pohim në pyetjen nëse kategoritë e rrezikuara në Maqedoni keqpërdoren në kontekst politik, gjegjësisht zgjedhor. Bashkëbiseduesit tonë tregojnë detaje të shumta nga përvojat, njohuritë dhe analizat e tyre për keqpërdorimin e qytetarëve të varfër dhe të rrezikuar, për politikat dhe praktikat korruptuese të pushtetit, por edhe për efektet afatgjate të kulturës së ulët në këtë kontekst”, theksoi Deralla në analizën.
Pjesëmarrësit në projektin ishin të ndarë në tre kategori: ekspertë, përfaqësues të partive politike dhe të organizatave qytetare dhe sindikatave. Secila nga kategoritë kishte pyetje identike lidhur me këto tema, në të cilat u përgjigjën në video intervista për CIVIL – Media.
Redaktori i CIVIL- Media, Sinisha Stankoviq, dha pasqyrë të shkurtë të intervistave të cilat gjatë javës së kaluar i publikoi CIVIL në kornizat e këtij projekti.
“Bëhet fjalë për pasqyrë të frikshme për shoqërinë e Maqedonisë. Qëndrimi i përbashkët i përfaqësuesve të organizatave qytetare dhe i ekspertëve ishte i pritur, por edhe subjektet politike, përfaqësuesit e partive të ndryshme politike, me fjalë pothuajse të njëjta e vlerësuan situatën në Maqedoni me padrejtësinë sociale, ose mosekzistimin e drejtësisë, me propozime konkrete për të cilat duhet të bisedohet dhe të polemizohet. Premtimet joreale dhe keqpërdorimet e mëdha, në veçanti ato të kategorive të rrezikuara, na sollën deri në momentin që punëtorët e falimentimit të deklarojnë se të gjithë politikanët janë gënjeshtarë. Kur kemi situatë në të cilën 180.000 qytetarë jetojnë me 14 denarë në ditë, për çfarë tjetër të bisedojmë? Kemi arritur nën fundin dhe tani na nevojiten përparime dhe ndryshime revolucionare për vendosjen e drejtësisë sociale, sepse është lehtë të keqpërdoret njeriu i uritur, njeri i cili ndjehet i humbur dhe i cili nuk beson se diçka do të ndryshojë, se është i keqpërdorur paraprakisht”, thotë Stankoviq.
“E Majta e vendos lartë drejtësinë sociale në veprimtarinë e tyre politike, dhe në fushatë, dhe nuk do të lejojmë që subjektet tjera politike ta injorojnë drejtësinë sociale, ose pas zgjedhjeve, ata që do të formojnë qeveri, ta injorojnë. Derisa ka varfëri, çdo herë do të ketë njerëz të cilët varfëria do ti detyrojë të shkelin dinjitetin e tyre. Nëse dëshirojmë që në afat të gjatë të mos kemi blerje të votave, duhet ta trajtojmë varfërinë”, deklaroi Zdravko Saveski nga e Majta, një nga bashkëbiseduesit në projektin “Premtime dhe keqpërdorime”.
“Enti shtetëror për statistikë doli me të dhëna se varfëria është e zvogëluar, në kohë kur e dimë se një numër i madh i qytetarëve jetojnë me më pak se 14 denarë në ditë. Ky është manipulim parazgjedhor dhe duhet të intervenohet për këtë, në cilën mënyrë llogaritet. Drejtësia sociale mund të arrihet dhe nuk ka zgjidhje magjike për këtë çështje. Nevojiten politika reale të cilat do të kujdesen për qytetarët dhe do të funksionojnë si rrjet i cili do ta pamundëson shtetin të zhytet në varfëri”, është qëndrimi i Mila Carovska, eksperte e politikave sociale.
“ Për drejtësinë sociale nuk guxon të lejohet të diskutohet vetëm me numra. Ata janë udhërrëfyes se deri ku kemi arritur, por drejtësia sociale duhet të jetë segment i cili do të jetë i aktualizuar nga të gjitha partitë, jo vetëm nga majtistët. Me vetë faktin që jemi shtet social, duhet të mirëmbahet parimi dhe drejtësia sociale të jetë prioriteti numër një. Është i nevojshëm konsensusi nga të gjitha partitë, të krijohet strategji afatgjate. Nuk mundet për katër vite, me ndryshimin e përbërjes së qeverisë, të ndryshojnë edhe politikat”, vlerëson Millan Zhivkoviq nga fondacioni Fridrih Ebert – zyra Shkup.
“Politika sociale nuk është vetëm lëmoshë. Nevojitet ridefinimi i sistemit për zbatimin e politikës sociale. Monopolizimi i qasjes nga strukturat politike dhe mos-përfshirja, janë probleme të mëdha. Duhet të ketë konsensus për çështjet më të rëndësishme”, thotë Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.
“ Shpesh dëgjojmë dhe akoma do të dëgjojmë dëshmi për korrupsionin politik dhe për qasjen klienteliste të cilat ky pushtet i ka sjellë deri në përsosmëri. Dëshmi të frikshme, por më japin dritë shprese se qytetarët më në fund çlirohen nga frika e imponuar dhe e instaluar në dekadën e fundit. Të gjithë regjimet autokrate fuqinë e tyre tërheqin nga paratë dhe frika. Para nuk ka, e tani, edhe monopolin mbi frikën ngadalë po e humbin. Janë të vetëdijshëm se nuk i kanë borxh asgjë partisë dhe se nuk mund ti kënaqin nevojat elementare për jetesë. Në këto zgjedhje, format për korrupsion, të cilat janë të zhvilluara, nuk do të kalojnë aq lehtë, qytetaret dhe qytetarët i njohin këto punë dhe nuk janë të përgatitur as dëshirojnë të kalojnë mbi ato”, vlerëson Kalinka Gaber nga Instituti “Progres”.
Në diskutimin u kyçën edhe anëtarët e ekipit të CIVIL, Monika Taleska dhe Petrit Saraçini të cilët ndanë dëshmi individuale të qytetareve dhe qytetarëve, të cilët problemet e tyre i kanë adresuar deri te CIVIL, e që do të publikohen në ditët që vijojnë.
Olivera Docevska, e cila mbledh nënshkrime që të mund të kandidohet si kandiduese e pavarur në Njësinë zgjedhore 2, ka ndarë problemet me të cilat ballafaqohet në sistemin gjyqësor. Sipas saj, varfëria është në mënyrë të drejtpërdrejtë e lidhur me korrupsionin dhe se duhet të vendosen politika për trajtimin me korrupsionin.
Diskutimin, me përvoja dhe porosi të tyre e pasuruan edhe përfaqësuesit e sindikatave, Ivica Kuzmanovski ( Sindikata e Pavarur i Policisë), Atanas Trajkovski ( Sindikata e Pavarur për ndërtimtari, industri dhe projektim), Strasho Jovanov ( S.P. – Makam Trans), Nasko Jovanov (Sindikatë e pavarur e “Arçelor Mital” – Konfederata e organizatave sindikale) dhe Liljana Todorovska ( Shoqata e Penzionistëve nga diaspora në Maqedoni)
Qëllimi i projektit “Premtime dhe keqpërdorime”, është të kontribuojë për forcimin e vetëdijes publike për keqpërdorimet në domenin e drejtësisë sociale në kontekst zgjedhor, si dhe parandalimin nga praktikat manipuluese të qendrave të fuqive politike. Projekti zbatohet në bashkëpunim me Fondacionin Hajnrih Bell – zyra në Sarajevë.
Video intervistat dhe transkriptet në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze janë të publikuara në kanalet onlajn të CIVIL dhe janë të lira për marrje ( Creative Commons 4.0)