Fazliu: Nevojitet departizim, depolitizim dhe dekriminalizim i pushtetit gjyqësor!

Për debatin "Sfidat për procesin zgjedhor në Republikën e Maqedonisë", një prej serisë të debateve "Maqedonia: me apo pa liri" që është pjesë e aktiviteteve të Karvanit të Lirisë, i cili në katër muajt e fundit ka organizuar më tepër lloje të aktiviteteve në mbi 40 komuna në të gjithë vendin, CIVIL Media zhvilloi video- intervista me pyetje identike me politikanët Bekim Fazliu (PDSH), Stojançe Angelov (Dinjiteti), Peter Shilegov (LSDM) dhe Pavle Trajanov (Aleanca Demokratike).


CIVIL Media: Cilat janë sfidat kryesore për procesin zgjedhor në vend?
Fazliu:
Është koha e fundit që Maqedonia një herë e mirë të organizojë, para së gjithash zgjedhje të lira, ku qytetari, pa frikë, pa asnjë lloj kërcënimi, pa asnjë lloj presioni, do ta shprehë vullnetin e tij lirshëm në ditën e votimit. Të organizojë zgjedhje demokratike, ku të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor do të kenë kushte të barabarta, si gjatë zgjedhjeve edhe gjatë kampanjës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve, deri në përfundimin e procesit zgjedhor. Të mos kemi keqpërdorime të institucioneve të pushtetit nga ana e pushtetit, të organizojë zgjedhje fer, ku detyrimisht të bëhet ndarja e partisë nga pushteti, sepse në këtë mënyrë siç kemi pasur gjer tani, paraqet problem të madh kjo mos ndarje që e kemi nga ana e partive me pushtetin. Dhe, zgjedhje kredibile, ku do t’i arrijmë të gjitha standardet më të larta ndërkombëtare dhe të jenë të pranuara nga të gjithë, si nga aktorët politikë vendas, nga faktorët relevantë vendas dhe nga faktorët relevantë ndërkombëtarë.

CIVIL Media: Cilat janë elementet korruptive që përdoren nga partitë politike në fushatat e tyre?
Fazliu:
Po shikoni, partitë politike, elementet korruptive që i hasim në zgjedhje vijnë nga partitë që janë në pushtet. Sepse, vazhdon korrupsioni, si gjatë ushtrimit të pushtetit që e kemi nga partitë në pushtet, korrupsioni masiv vazhdon edhe gjatë procesit zgjedhor. Meqë ne si Parti Demokratike Shqiptare e kemi konkurrent direkt, rival kryesor politik Bashkimin Demokratik për Integrim, ne gjatë proceseve zgjedhore kemi hasur në këto elemente korruptive që bën kjo parti. E para është blerja masive e votave nga ana e qytetarëve, korrupsion nëpërmes ofrimit apo premtimit për një vend pune, e ç ’është më interesantja – blerja masive apo korruptimi i anëtarësisë së vetë BDI-së nga ana e kësaj partie, duke ju dhënë para – kesh aktivistëve të tyre për procesin zgjedhor. Por, mos harroni, gjithmonë me korrupsionin, paralelisht ec edhe krimi. Nëse nuk ka sukses korrupsioni, atëherë hyn në lojë krimi, nëpërmes kërcënimit, nëpërmes shantazheve, presioneve dhe reketimit që u bëhet bizneseve.

CIVIL Media: Si të parandalohet korrupsioni politik në procesin zgjedhor?
Fazliu: Ka një mënyrë të vetme. Departizimi i institucioneve, depolitizimi i institucioneve dhe dekriminalizimi i institucioneve. Mbi të gjitha - Departizimi, depolitizimi dhe dekriminalizimi i pushtetit gjyqësor. Duhet të funksionojë drejtësia, që ne...edhe sot e kësaj dite, ata që kanë bërë krim zgjedhor, siç kishim falsifikimin e rezultatit të vitit 2013  gjatë Zgjedhjeve Lokale në komunën e Çairit, dhe krim zgjedhor të vitit 2011, 2014 nga ana e anëtarëve të BDI-së, jo që nuk janë përgjigjur për këtë krim, edhe pse janë të dokumentuara me fakte dhe argumente krimi i tyre zgjedhor, po ata vazhdojnë sot e këtë ditë të mbajnë poste të larta qeveritare. Duhet të funksionojë drejtësia, dhe të gjithë ata që bëjnë krim zgjedhor dhe korrupsion, të përgjigjen.

Maja Ivanovska

Kamera: Dehran Muratov


Karvani i Lirisë është festival udhëtues, i organizuar nga CIVIL –Qendra për Liri me mbështetje nga USAID-i, i cili përdor artin dhe kulturën për të ndikuar në forcimin e vetëdijes qytetare dhe pjesëmarrjes qytetare. Ky është një projekt dinamik multimedial, i cili inkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal dhe nacional, përmes koncerteve, punëtorive të artit, performancave poetike dhe teatrore, si dhe debateve dhe diskutimeve që mbulojnë çështje të ndryshme kulturore dhe shoqërore që janë të rëndësishme për qytetarët.

Green CIVIL

FREE
VIEW