Krushevë, ditë prilli me diell, viti 2017. Në Gumenjë, vend i zbrazët dhe i braktisur. Shitorja për suvenire është e hapur, por nuk ka turistë që të blejnë diçka për kujtim nga qyteti që ndonjëherë ka qenë sinonim për turizëm. Ajri është i pastër, i freskët dhe i këndshëm. Vizita e varrit të Toshes ishte e paevitueshme, ndërsa atje nuk ka ndryshuar asgjë. As një pjesë e lëvizur që jep ndjenjë se me të vërtetë do të realizohen paralajmërimet e kompetentëve, me të cilat do të ndalohet fundosja e varrit, e vendit të prehjes deri në amshim të pop-ikonës maqedonase, dhe se ambasadori i pashoq i muzikës dhe kulturës maqedonase do të ketë trajtim më adekuat.
Në rrugën drejt Makedoniumit, takuam disa Krushevas të ri, të cilët janë këtu për vikend, dhe kanë vendosur që pikërisht në hapësirën para përkujtimores të kalojnë një pjesë të ditës së mrekullueshme. Punimet ndërtimore (që filluan në gusht të vitit të kaluar) për rindërtimin e përkujtimores Ilinden –Makedonium, me qëllim të parandalohet shkatërrimi i saj i mëtejmë. Katër platformat: Pranga –Robëri e Këputur, Kripti (varri), mësonjëtorja dhe vetë përkujtimorja do të rinovohen në periudhë prej dy viteve.
Ndërsa, përkundër këtyre aktiviteteve ndërtimore, më poshtë rrugës, i lënë dhëmbit të kohës, qëndron Muzeu i LNÇ. Dhe askush nuk tregon interes për këtë objekt, i cili po shkatërrohet ashpër. Në afërsi të kafenesë së improvizuar, takuam tre Krushevas, të cilët bisedonin me gotë rakie në ditën e bukur me diell. Nuk deshën t’i fotografojmë, insistuan për anonimitet total, pasi e ndanë me ne sikletin që Krusheva po braktiset përnjëherësh.
“Këtu nuk ka jetë. Të rinjtë që moti u larguan. U shpërngulën. Aty këtu ka dikush, do të gjesh dike, vetëm nëse prindërit nuk dëshirojnë ta lejojnë të ik pas anijeve, ose, nëse tani e ka mbaruar shkollën e mesme ose fakultetin, dhe ende ka shpresë se do të bëhet më mirë. Mirëpo, derisa nuk hapen fabrika, derisa nuk ka punë, këtu nuk ka jetë”, na u ankua bashkëbiseduesi më i moshuar.
Dy të tjerët, në moshë prej 40 deri 50 vite, të revoltuar na e treguan dhimbjen e gjeneratës së tyre.
“Ata që janë të moshës tonë, nuk kanë zgjidhje. Punë nuk mundesh të gjesh, jeton me paratë nga prindërit, me pensionin e tyre, ndërsa ata që janë të moshës prej 20 deri 35, ose 35 vjeçe, që moti janë larguar. U shkretua qyteti, askush nuk bën llogari për ne, qytetarët e Krushevës. Politikanët? Kush realisht brengoset për Krushevën? Askush! Vijnë për zgjedhje, bëjnë një turne nëpër qytet, premtojnë këtë-atë, dhe mandej askujt asgjë. Përsëri njësoj. Edhe ndonjë vit nëse nuk ndryshojnë punët, qyteti vetvetiu do të vdesë”, vlerëson njëri nga bashkëbiseduesit.
Tjetri thotë se ka shpresë, vetëm nëse formohet Qeveria e re.
“Duhet të ndërpriten politikat lartë në parlamentin. Le të formojnë qeverinë e re dhe mjaftë më, le të nis shteti, edhe ne bashkë me atë. Kështu nuk jetohet më! Kjo jetë është e padurueshme. Nuk ka çfarë të tregohet për Krushevën, këtu nuk ndodh asgjë e mirë, qëndrojmë si përtacë nëpër shtëpia, po rrallohemi, rrugët janë të zbrazëta, nuk ka njerëz, nuk ka të rinj, çfarë pret nga një qytet pa rini”, përfundon Krushevasi.
Duke u drejtuar nga qendra e qytetit, me shpresë se do të shijojmë një pjesë nga sharmi i Krushevës së kamotshme turistike, takuam dy pensioniste, me dëshirë për bisedë.
“Çfarë të them, asgjë mirë nuk ka këtu. Një nga fëmijët e mi u largua nga vendi, shkoi pas punës, pas jetës më të mirë, ndërsa tjetri punon në afërsi. Por si ta lidhim fundin, pasi nuk ka para, pasi çdo gjë është shtrenjtë, e fëmijët duhet të shkollohen, të përparojnë. Unë kam pensionin prej mezi 10.000 denarë, ndërsa gjysmën e jap për ngrohje. Dhe si të jetoj? Nuk jetohet! Jemi të dëshpëruar, nuk ka jetë. Kur nuk mundet fëmija të të vjen në shtëpi për Pashkët, t’i gëzohesh, a i thonë jetë kësaj…Secila shtëpi vuan nga malli për më të dashurit, sepse ikën të kërkojnë kafshatën e bukës nëpër shtete tjera”, thotë Marija Dimitrova.
Përballë kishës “Shën Nikolla” në qendrën e Krushevës, një pjesë nga kafenetë janë të hapura, por pjesa më e madhe janë të mbyllura. Mysafirë të rastit kënaqen me kafe dhe pije dhe bisedojnë për kohët dhe pakohën. Mes tyre janë edhe qytetarë që janë shpërngulur që moti në Shkup, por vikendet i kalojnë në vendlindje.
“Nuk është asgjë më mirë, shkon vetëm nga e keqja. Por, kjo është vendlindja jonë, nuk mund njeriu të mos vjen. Secili dëshiron, posaçërisht për festa, të ulet me më të afërmit në një tryezë. Mirëpo çdo herë jemi më të vetëdijshëm se nevojiten ndryshime radikale, nëse me të vërtetë është qëllimi që qyteti të fillojë të jetojë. Pa strategji serioze për zhvillimin e turizmit, e cila nuk do të mbetet në sirtar, por do të përjetojë realizimin praktik, Krusheva është në rrugë drejt humbjes së karakteristikave urbane”, na thanë disa Krushevas që i takuam në kafenenë e parë në hyrjen e çarshisë së vjetër.
Edhe pse i shkretuar, kjo qytezë çdo herë mahnit me sharmin e vet që buron nga tingujt e hapave mbi kalldërmë, nga aroma e llokumit në përgatitje në punëtoritë e vogla të disa prodhuesve të njohur të llokumit, por edhe të ëmbëlsirave merengë. Shtëpitë e vjetra të Krushevës mahnitin me bukurinë e tyre, të vjetra, para kohës së kryengritjes së Ilindenit, pronarët e të cilave me xhelozi e ruajnë brendinë dhe arkitekturën burimore. Fasadat e disa nga shtëpive janë të riparuara me mjete nga Ministria e Kulturës.
Duke kaluar përskaj stacionit të autobusëve, ku për fat të keq nuk vërejtëm asnjë udhëtar, në pasditen e mrekullueshme të prillit, u larguam nga Krusheva, me mushkëri të pastruara, por edhe me mall, sepse qyteza më e lartë në Ballkan ngadalë po vdes.
Teksti dhe fotografitë: Monika Taleska