Për mafinë urbane në Tetovë fajtorë janë edhe pushteti lokal edhe ai shtetëror

Tetova e gjelbër, ashtu si e kanë quajtur në të kaluarën dhe është njohur mes udhërrëfyesve në të kaluarën, qytet me natyrë të mrekullueshme dhe resurse natyrore rrëzë malit Sharr. Sot Tetova është qytet i kaosit në trafik, i mafisë urbane e cila ndërton pa kontroll, parqe të shndërruara në sheshe të betonuara dhe objekte të ndërtuara pa plan. Ditë e më tepër Tetova e të kaluarës po shndërrohet në rrëmujë e zbukuruar me deponi dhe pa kujdesin e pushtetit për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe shëndetin e njerëzve.

“Tetova në të kaluarën ka pasur shumë gjelbërim, parqe, madje edhe sheshi i qytetit atëherë ishte vetëm një nga parqet. Tani në Tetovë, me planet e reja urbanistike nuk kemi asnjë park. Për fat të keq, edhe pas 5 vitesh  nuk kemi plan urbanistik dhe në qytet pothuajse nuk ka hapësira të gjelbra. Mushkëritë e Tetovës dhe Shkupit, siç e quajnë urbanistët Malin Sharr, në vend se të kultivohen dhe të mirëmbahen, janë mjet i vjedhësve që pamëshirshëm e presin pyllin. Nga ana tjetër, Mali Sharr paraqet një nga resurset më të rëndësishme për zhvillim të ekonomisë dhe turizmit. Kemi një masiv që fillon nga Mavrova dhe mbaron te Luboteni, dhe i cili nëpër botë do të shfrytëzohej për zhvillimin e turizmit, alpinizmit. Për fat të keq, ne jo vetëm se nuk kemi bërë asgjë deri tani, por edhe ajo pak që u bë, nuk është si duhet dhe nuk funksionon”, deklaroi aktivisti qytetar dhe bashkëpunëtori i Civilit nga Tetova, Pero Naumovski, me të cilin biseduam për vlerat e gjelbra.

Ekologjitët nga Tetova vazhdimisht apelojnë për zgjidhjen përfundimtare të problemit me ski – qendrën Kodra e Diellit dhe të tërë masivit të Malit Sharr me planifikim afatgjatë. Siç thotë Naumovski, absurdi qëndron në rezistencën e pushtetit lokal ndaj iniciativave të ekologjistëve për shpalljen e Malit Sharr si park nacional.

“Nuk ka pyllëzime të reja, nuk ka parqe të reja, përkundrazi edhe ajo që është, me mafinë urbane dhe me kushtet siç janë në komunën dhe shtetin, në mënyrë plotësuese shkatërrohet”, i dëshpëruar shpjegon Naumovski.

“Edhe shteti ka përgjegjësi të madhe, ndërsa një pjesë e madhe e kompetencave janë edhe të pushtetit lokal. Ndikim të madh kishin edhe marrëdhëniet e parregulluara në bartjen e kompetencave nga niveli shtetëror në atë lokal. Ndoshta do të ndihmojë nëse të gjitha komunat që gravitojnë në rajonin e Pollogut kyçen në projekte të përbashkëta për ekologji, zhvillim turizmi, bujqësi dhe çdo gjë që është resurs natyror. Problemin e gjej te të gjithë bartësit e pushtetit, por fajtorë jemi edhe ne, qytetarët. Vetëdijësimi ekologjik duhet të fillojë nga arsimi. Ndërsa për kushtet në arsimin tonë as që dua të flas”, theksoi Naumovski.

Pero Naumovski, si bashkëpunëtor dhe mbështetës shumëvjeçar i Civilit, morri pjesë edhe në info stendën në Tetovë, ku u promovua projekti “Ardhmëri e gjelbër”, në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetaret dhe qytetarët biseduam për vlerat e gjelbra, drejtësinë sociale dhe antinacionalizmin.

Biljana Jordanovska

Kamera dhe fotografia: Arian Mehmeti

Përpunimi i tekstit: D. Tahiri

Please follow and like us:

This post is also available in: Macedonian English