Prefektët në Maqedoni veprojnë në kornizat e kompetencave të tyre, por çdo gjë varet nga karakteri i prefektit, përvojës së tij dhe gatishmërisë të punojë në interesin e qytetarëve. Nuk kanë liri të mjaftueshme të realizojnë politika lokale dhe duhet t’i ndjekin udhëzimet nga pushteti qendror. Pjesa më e madhe e punës së prefektit dhe vetëqeverisjes lokale varet nga ajo se sa ai është rezistues ndaj presioneve partiake dhe të zbatojë aktivitete në interesin e qytetarëve. Komunat punojnë me mjete shumë të kufizuara por edhe ballafaqohen me apatinë e qytetarëve. Për këtë arsye, është e domosdoshme të forcohet vetëdija qytetare dhe përfshirja në bashkëpunimin me mediat, si dhe të zgjidhen prefektët pavarësisht nga përkatësia partiake. Këto janë një pjesë nga përfundimet nga debati i sotëm në temën “Prefektët dhe liria”, në të cilën morën pjesë Gjorgji Hristov nga Qendra për zhvillim të demokracisë lokale, dhe Jadranka Kungullovska, eksperte për mbështetje institucionale. “Sa pushteti lokal dhe prefektët kanë autonomi për vendosje dhe krijim të politikave lokale dhe sa janë të hapur ndaj ideve të qytetarëve për bashkëpunim me ata dhe për iniciativat që vijnë nga organizatat qytetare?”, ishte pyetja të cilës kishin mundësinë ti përgjigjen panelistët e debatit, të cilët janë ekspertë në këtë lëmi.
“Prefektët tentojnë të nxjerrin maksimumin nga ajo që është kompetencë e tyre dhe nga ajo që ua imponon Këshilli, sepse Këshilli është ai që sjell vendimet, ndërsa prefektët i zbatojnë. Nuk i mbroj prefektët, por mendoj se përfaqësuesit e këshilleve janë ata që munden më së mirë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, për arsye se ndikimi politik së pari ndjehet mbi punën e tyre”, është qëndrimi i Hristov.
“ Është e saktë se këshillat sjellin vendime, mirëpo është fakt se prefektët janë ata që i krijojnë dhe propozojnë politikat që arrijnë deri te Këshilli, dhe nëse ka pajtim politik, këto kalojnë pa problem dhe intervenime. Prefektët veprojnë brenda kornizave ligjore, por nga përvoja ime, më duhet të them se shumë varet nga karakteri i prefektit. Ligjet vlejnë për të gjithë, por ne kemi zhvillim të ndryshëm nëpër komuna. Ka raste, kur i njëjti prefekt, në mandate të ndryshme, ka krijuar politika të ndryshme dhe në mënyrë të ndryshme është i hapur për bashkëpunim me qytetarët”, tha Kungullovska.
Si pjesë e debatit, CIVIL Media ka përgatitur katër intervista, me prefektin e Shtipit, Illço Zahariev, me Ratko Dimitrovski, prefekt i Koçanës, me Izet Mexhitin, prefekt i Çairit, dhe me prefektin e Qendrës, Andrej Zhernovski, të cilët u përgjigjën në tre pyetje identike. Video materialet e përgatitura u prezantuan, dhe qëndrimet e prefektëve shkaktuan debat dhe komente nga të pranishmit.
“Atë që shpresoja se do t’a dëgjoj, e nuk e dëgjova, është se prefektët me të vërtetë angazhohen për kauzën e vetëqeverisjes lokale dhe për stimulimin e decentralizimit. Nëse nuk kanë presione, do të thotë se nuk mund t’i dalin në krye detyrës. Vizioni i liderit duhet të jetë më i madh, ndërsa, për fat të keq, këtë nuk e dëgjova nga asnjëri, përveç nga prefekti Mexhiti, i cili u thirr në decentralizimin e dobët fiskal, por kjo është vetëm një segment. Mungon sundimi i mirë dhe prefektët t’i stimulojnë qytetare(ë)t, përmes iniciativave dhe aksioneve të sigurojnë pjesëmarrje më të madhe nga qytetarët”, ishte komenti i Hristov.
Ai, në lidhje me deklaratën e Zhernovskit, tregoi se presioni mbi Komunën Qendër është shumë i qartë dhe i elaboruar, dhe në raport-progresin e Komisionit Evropian.
“Kam bashkëpunuar me disa nga këta prefektë dhe qëndrimet e tyre i kam të njohura. Një pjesë nga qëndrimet e tyre janë vetëm deklarative, por unë mund të dëshmoj se disa nga prefektët kur nuk janë para kamerave, tregojnë se nuk ka bashkëpunim cilësor me pushtetin lokal. “Kam pranuar urdhër, që në vend të ndërtimit të rrugës lokale, të ndërtoj urë mes dy fshatrave, sepse duhet t’i animoj votuesit”, më tha një prefekt. Këto presione paraqesin problem të madh të cilin askush nuk guxon t’a injorojë”, vlerëson Kungullovska, e cila u adresua në rolin e bashkësive lokale, të cilat shpesh janë nën ndikimin e partisë në pushtet. Sipas saj, takimet që mbahen me qytetarët, janë partiake, ndërsa paraqiten si komunale.
Moderatorja e debatit, Monika Taleska nga CIVIL Media, u adresua nga përvojat në terren, ku qytetarët ankohen se nuk kanë qasje deri te prefektët dhe se nuk mund të realizojnë takim real me pushtetin lokal, të cilët premtojnë projekte të cilat nuk i realizojnë, ndërsa aktivizohen vetëm në periudhën parazgjedhore, për mbledhje të votave.
“Nuk ka pengesa formale dhe ligjet mundësojnë komunikim me qytetarët, në të gjitha bazat. Kjo ishte praktikë para 10 viteve, por tani më jo. Prefektët shpesh shkojnë në trajnime, e dinë si duhet dhe kanë dijeni, por çdo gjë varet nga vullneti i tyre dhe këtë e them me plot përgjegjësi. Frika dhe kritika i ndalon, harrojnë se janë të zgjedhur nga qytetarët dhe se përgjigjen para tyre”, vlerëson Kungullovska.
“Prefektët dhe pushteti lokal janë më transparentë dhe më të hapur nga pushteti qendror. Duhet të ndryshojë mënyra- se si pushteti qendror e percepton pushtetin lokal. Kur prefekti paralajmëron vizitë në ministri, ministri duhet ta presë, e jo ai ministrin, siç është situata tek ne. Deklarata e prefektit të Shtipit ishte shumë propagandiste, ku u mundua ta paraqesë situatën në komunën e tij si pozitive. Por, pse rrugët lokale dhe rrugët në Shtip janë të financuara nga buxheti qendror dhe pse në hapjen e rrugëve, aktorët kryesorë janë nga pushteti qendror?”, pyet Hristov.
Pyetjet që u parashtruan nga të pranishmit në debatin “Prefektët dhe liria”, e të cilat ishin të drejtuara deri te prefektët të cilët me video deklarata u pajtuan të jenë pjesë e këtij debati, do të dërgohen deri te prefektët, ndërsa përgjigjet e tyre do të publikohen në ueb faqet e Karvanit të Lirisë dhe to CIVIL-Qendrës për Liri.
Debatet janë pjesë e aktiviteteve të Karvanit të Lirisë, i cili në tre muajt e fundit ka organizuar më tepër lloje të aktiviteteve në mbi 40 komuna nëpër gjithë vendin, duke përfshirë koncerte, punëtori artistike, performanca teatrore dhe poezie, si dhe debate dhe diskutime që përfshijnë çështje të ndryshme kulturore dhe shoqërore të cilat janë me rëndësi për qytetarët.
Karvani i Lirisë është festival tre mujor, i organizuar nga CIVIL dhe i mbështetur nga USAID-i, i cili i shfrytëzon artin dhe kulturën që të ndikojë në forcimin e vetëdijesimit qytetar. Ky është një projekt multimedial dinamik, i cili e inkurajon pjesëmarrjen qytetare në proceset e vendim marrjes në nivel lokal dhe nivel nacional.
Marija Tegovska