Folësi i parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Afatet ecin, shteti zyrtarisht është futur në periudhën parazgjedhore, periudhë e ndërlikuar, e cila sipas tij, do të jetë testim për partitë, ndërsa mandati do t’u kthehet qytetarëve.
Vendimi për zgjedhje ka arritur edhe deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Anëtarët e komisionit njëzëshëm e sollën Orarin, fushata fillon më 21 nëntor, ndërsa inspektimi publik i listës, më 28 tetor, kur votuesit e fshirë, rreth 30.000 votues të kontestueshëm, do të munden sërish të dëshmojnë se nuk janë “fantazma”. Rreth 170.000 votues tjerë të cilët janë në listën e veçantë, do të kenë edhe obligim plotësues gjatë paraqitjes për votim. Filloi edhe paraqitja për votim në zgjedhjet më 11 dhjetor, të shtetasve të Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë shtetit, në ambientet e përfaqësive diplomatike –konsullore të vendit, përmes aplikimit të vendosur në internet –faqen e KSHZ. Edhe pse është më e përmendur, Njësia e Gjashtë Zgjedhore mbetet e pazgjedhur dhe sipas vlerësimeve nga ekspertët kushtetues, mundet ta sjellë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve.
Ekspertët paralajmërojnë, ndërsa politikanët i ngritin supet për tepricën e votuesve në Njësinë e Gjashtë. Kryeministri Emill Dimitriev nuk pret probleme, sepse partitë i kanë përputhur qëndrimet kontestuese. Partitë politike – pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, duhet të nënshkruajnë kodeksin për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Zgjedhjet e ardhshme mund ta nxjerrin Maqedoninë nga kriza politike, nëse janë të drejta dhe të besueshme, vlerësojnë Euroambasadorët.
Partitë të fokusuara në kalkulimet zgjedhore
Lideri i partisë më të madhe opozitare, Zoran Zaev deklaroi se ende është herët të lajmërohen kandidatët për listat zgjedhore. LSDM është në bisedime dhe negociata me partitë politike për koalicionim. Sipas Zaev-it, LSDM dhe partitë nga e majta dhe qendra, kanë lidhur koalicione me qytetarët, dhe ata do të jenë të përfshirë në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.
Zëdhënësi i qeverisëses VMRO-DPMNE, Ivo Kotevski thotë se po bëhen vlerësimet se cilët kandidatë do të gjenden në listat. Për momentin, po realizohen analiza brenda partiake, me qëllim që kandidatët më të mirë të kërkojnë mbështetje nga qytetarët, që të arrihet rezultat optimal prej 63 vendeve për deputetë.
Ekspertët dhe analitikët politik nuk e përjashtojnë mundësinë që VMRO-DPMNE të tërhiqet, të mos paraqesë listat e kandidatëve, nëse vlerëson se rejtingu te elektorati është në rënie, për disa javë.
Lideri i BDI, Ali Ahmeti, ka deklaruar se nuk beson se do të ketë aktivitete të cilat do ti dëmtojnë zgjedhjet. Nga BDI nuk zbulojnë nëse veç më i kanë rregulluar listat, “Me siguri në Komitetin e ardhshëm të partisë do të vendoset për këtë çështje”, deklaroi Artan Grubi. Nga PDSH nuk ka informata zyrtare. BDI dhe Besa janë në përparësi te votuesit shqiptarë, siç tregojnë anketat.
Prokuroria Speciale Publike qëndron fortë në luftën kundër krimit
Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka hapur hetimet për shitjen e truallit për ndërtim në lagjen “ Qyteti i Diellit”, në Sopishte-Shkup. Në rastin e titulluar “Toplik”, PSP ven nën dyshim gjashtë persona, mes të cilëve edhe një ish funksionar në Ministrinë për Transport dhe Komunikime, si edhe pesë persona nga Komisioni për ankande publike. Të gjithë këta i ngarkon për keqpërdorime të pozitës zyrtare, me çka Buxheti i Maqedonisë është dëmtuar për më shumë se një milion euro. Pas kësaj u deklarua ish ministri Mile Janakieski. Ai plotësisht i demantoi akuzat e PSP. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, atëbotë projektin elitar, e tani më të dështuar, e paralajmëronte si investim të “rëndë” 100 milionë euro.
Edhe ministrja Elizabeta Kançeska Mileska si edhe tre të punësuar në Ministrinë e Kulturës, PSP i dyshon se kanë dëmtuar Buxhetin shtetëror për një milion euro, në rastin e ri “Tenderë”.
Sipas PSP, të dyshuarit e kanë “rregulluar” tenderin për ndërtim të muzeut të VMRO-DPMNE, në leverdi të kompanisë aksionare Beton –Shtip. Edhe ministrja Kançeska Mileska në konferencë për shtyp ka i demantuar të gjitha akuzat, dhe e akuzoi PSP-në për përhapje të propagandës partiake të LSDM-së.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhoski, ka mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën tha se mediat dhe PSP bëjnë presion ndaj Gjykatës. Reagimi i tillë vjen pas dëgjimit të pesë gjykatësve të Gjykatës Drejtuese në PSP, të cilin Karaxhoski e ka vlerësuar si rrënim të integritetit të gjykatësve. PSP ka hedhur poshtë akuzat.
Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim u ngrit mbi ligjin?
Kompania Suedeze “Erikson” ka lajmëruar se nuk është pronare, e as nuk operon me pajisjen për përgjime në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), si përgjigje ndaj kërkesës së PSP për asistencë teknike në hetimin që e zbaton Prokuroria në DSK. Drejtori i Zyrës për Siguri Publike dhe ish ministri i MPB, Mitko Çavkov, pas hyrjes së PSP në DSK, pretendonte se sistemi nuk është pronë e MPB dhe DSK, por së është pronë e operatorit dhe se vetëm person i autorizuar nga atje, ka qasje deri te ky sistem. PSP ka hyrë në MPB me dy vendime gjykate: për sigurimin e dokumentacionit nga masa të veçanta hetuese (PIM) dhe të dhëna nga sistemi për përgjim. Gjatë kësaj ka marrë një pjesë të të dhënave, ndërsa për tjerët u vendos të pritet ekspert i jashtëm, i cili duhet të ndihmojë gjatë “nxjerrjes” së tyre.
Prokurorja Speciale, Katica Janeva, ka hasur në pengesa serioze nga udhëheqësia e DSK. Kulmi me të cilin DSK ka demonstruar se është e vendosur edhe mbi ligjin në Maqedoni, është akti i dëbimit të hetuesit të PSP-së nga objekti i DSK dhe pengimi i punës së tyre. Qëndrimi i DSK, sipas PSP, ka qenë se hetuesit e PSP nuk janë prezent në DSK, për shkak të fshehtësisë së funksionimit të Drejtorisë. DSK e refuzoi edhe kërkesën e Janevës, që hetues kujdestar ti ruajë të dhënat derisa nuk arrin eksperti i cili do të mundet t’u sigurojë qasje deri te të dhënat nga viti 2008 deri në vitin 2015. Drejtori i DSK Vlladimir Atanasovski ka garantuar se pajisja dhe sistemet janë të siguruara, në përputhje me rregullat për informata të klasifikuara.
Ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, deklaroi se hetuesi i PSP është arrestuar pa arsye. Katica Janeva e liroi hetuesin nga stacioni policor “BEKO” dhe e çoi në PSP. Por, porta e hyrjes në MPB ishte e mbyllur. Prokurorja me ekipin ka hyrë në Drejtori, mirëpo pas urgjencës me telefon, Janeva nga Spasovski ka pranuar vërtetim se ndërtesa e Drejtorisë do të sigurohet, pas çka PSP ka tërhequr hetuesit nga DSK.
Prokurori i mëparshëm Jovan Trpenoski thotë se çdo institucion dhe person fizik duhet patjetër të veprojnë sipas kërkesës së gjykatës, ndërsa MPB është organ i cili duhet të jetë në shërbim të Prokurorisë, e jo pengues i saj. Kriza e drejtësisë po kulminon, ndërsa institucionet e prekin fundin, komentojnë të udhëzuarit.
Në këtë dramë që për një javë po zgjat mes sistemit të drejtësisë dhe sistemit ekzekutiv në Maqedoni, më në fund bëzani edhe kryeministri Emill Dimitriev. Ai porositi se organet e drejtësisë duhet të qëndrojnë jashtë betejës politike të partive dhe se nuk guxojnë të lënë përshtypje të ngjyrosjes politike. Si dhe, se Qeveria do tu jep mbështetje logjistike dhe financiare të gjithë organeve të drejtësisë.
CIVIL-Qendra për Liri përsëri ka shprehur mbështetjen e fortë PSP-së dhe qëndrimin e fortë që t’i mundësohen kushte maksimale për punë dhe që bashkëpunimi me institucionet të jetë i plotë dhe pa udhëzime.
Jo vetëm presione, por edhe sulme fizike mbi gazetarët
Në vend të atmosferës më relaksuese të mediave dhe siguri më të madhe për gazetarët pas Marrëveshjes së nënshkruar të Përzhinës, gjendja në mediat në Maqedoni është edhe më brengosëse. Gjatë përgatitje për kyçje të drejtpërdrejtë në lajme para DSK, gazetari i Televizionit Kombëtar “Telma”, Pavle Bellovski, ishte i sulmuar nga pas, me grushta dhe shqelma. Policia, e cila ka qenë në afërsi, menjëherë e ka arrestuar sulmuesin. Ministria për Punë të Brendshme ka ngritur procedurë penale kundër sulmuesit. Asociacionet esnafe menjëherë u deklaruan me gjykime të ashpra ndaj kësaj vepre. Edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) arritën gjykime. Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Këshilli për etikë në media dhe Agjencia për shërbime Audio dhe Audio Vizuale gjykuan dhunën kundër gazetarit. Kjo vepër për Agjencinë është sulm i drejtpërdrejtë mbi lirinë e mediave dhe mbi të drejtën e publikut për informim. Agjencia apeloi që të mos pengohen gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave në kryerjen e detyrës së tyre profesionale, e cila është me rëndësi të madhe në këto momente shoqërore.
Në kohë kur hapësira mediatike në Maqedoni është e kufizuar për informatë të vërtetë, objektive dhe të balancuar, po mbahet procedurë gjyqësore kundër gazetarit Zoran Bozhinovski, një nga të akuzuarit në rastin “Spiun”. Gjykimi i parë është prolonguar për datën 10 nëntor, me kërkesë të të autorizuarit të ri të Bozhinovski’t. Kaluan tre vite prej rastit kur gazetarët në Maqedoni ishin brutalisht të ndaluar të mbajnë protesta të qeta për lirimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, para Muzeut të Luftës Maqedonase për Shtetësi dhe Pavarësi, nga forca të fuqishme policore. Kezharovski ishte i gjykuar me 4,5 vite dënim me burg për zbulim të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur.
Kremtim i partizuar i Ditës së Luftës Revolucionare të Maqedonisë
VMRO-DPMNE, me kremtimin të partizuar shënoi ditën kombëtare – 23 tetorin – Ditën e Luftës Kombëtare të Maqedonisë, të cilën e vendosi gjatë viteve të sundimit të tyre. Presidenti shtetit, Gjorgje Ivanov, me këtë rast bëri thirrje “në emër të heronjve të së kaluarës dhe të ardhmërisë, të pajtohemi dhe të bashkohemi”. Ish-Kryeministri Nikolla Gruevski tha se “lufta para 123 viteve, sot është luftë për përparim dhe mirëqenie”.
PLD lajmëroi se pas zgjedhjeve do të kërkojnë që parashenja “VMRO” të fshihet nga emri i partive politike. Sipas PLD, parashenja “VMRO”, sot është e uzurpuar nga partitë politike, të cilat dëshirojnë ti përvetësojnë benefitet e organizatës së famshme nga e kaluara, edhe pse nuk kanë asgjë të përbashkët me qëllimet dhe traditat e saj.
Edhe opinioni pro-demokratik i cili që moti angazhohet që parashenja “VMRO” të fshihet nga emri i partive, kremtimin e sivjetshëm të Ditës së Luftës Revolucionare të Maqedonisë, e konsideron si hipokrizi dhe vepër perfide të pushtetit, bë kohë kur për shkak të politikave të VMRO-DPMNE, Maqedonia është nl krizë të thellë politike dhe financiare, pasojat nga e cila i durojnë të gjithë qytetare/ët.
Monika Taleska